Gjatë një ceremonie të mbajtur në Roskovec, u përkujtua ish-deputeti socialist Fatmir Xhindi, i vrarë 10 vjet më parë në oborrin e banesës së tij.
Në ceremoninë përkujtimore kanë qenë të pranishëm përfaqësues të maxhorancës, drejtues lokalë si dhe familjarë të tij.
Kreu i grupit parlamentar, Taulant Balla, deklaroi se drejtësia e re do e zbardhë vrasjen e Xhindit.
“Ne nuk e kemi harruar detyrën që ka lënë pas largimi i Fatmir Xhindit. Jemi të keqardhur që institucionet e asaj kohe nuk reaguan për ta zbardhur çështjen. I bashkohem thirrjes së Andiel Xhindit. Drejtësia e re që po lind do të zbardhë këtë çështje dhe kushdo që guxoi të ngrinte dorë mbi deputetin e Partisë Socialiste do të marrë dënimin e duhur”, deklaroi Balla.
Ndërkohë djali i tij, Anduel Xhindi, aktualisht deputet i PS-së, ka bërë apel për zbardhjen e çështjes.
“U bënë 10 vjet dhe drejtësia nuk e ka thënë ende fjalën e saj. U bëj thirrje institucioneve për ta zbardhur sa më shpejt që shpirti i tij të jetë në paqe”, tha ndër të tjera ai.
Në një kohë që vendin e ka kapluar kriza politike, Balla zbuloi edhe amanetin politik të Fatmir Xhindit.
“Një prej amaneteve politike të Fatmirit ishte se ‘Shqipëria nuk ka nevojë për beteja, por për bashkëpunim mes partive politike”, tha Balla.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



