Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, përmes një statusi në rrjetin social “Facebook”, përkujton poetin e vrarë në regjimin komunist, Havzi Nelën. Basha shkruan se poeti u dënua me vdekje për shkak se i këndoi lirisë dhe liria ishte ajo që i tmerronte më shumë komunistët.
“3 dekada mbushen sot nga dita kur xhelatët gjakatarë të Tiranës komuniste varën në litar në mes të Kukësit, poetin që i këndoi lirisë Havzi Nela. E dënuan me vdekje poetin vetëm se i thurte himne lirisë. Sepse asgjë nuk i tmerronte më shumë se liria, kriminelët e rrëgjuar të Byrosë, dorasit e tyre në Sigurimin e Shtetit, dhe pseudo-intelektualët që me zellin e tyre kriminal ishin po aq duarngjyer në gjakun e poetit”, shkruan Basha.
Për Bashën, Havzi Nela është personi që e sfidoi me forcë diktaturën dhe mëkati për varjen në litar rëndon edhe sot.
“Mbi një komb të tërë rëndon edhe sot mëkati për varjen në litar të një poeti për vargjet e tij! E zezë është faqja e atij kombi që pranon të predikojnë sot për drejtësi xhelatët e pandëshkuar të krimeve të komunizmit dhe bijtë e tyre të papenduar!”, shkruan më tej Basha.
Sipas tij, “nderimi më i madh për poetin kryelartë të lirisë, është të ngrejmë krye kurdoherë kundër tiranisë së të keqes, për liri, për demokraci, për Zot dhe Atdhe, për veten dhe fëmijët tanë!”.
Poeti Havzi Nela u var më 10 gusht 1988 nga regjimi diktatorial i Hoxhës për poezitë e tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.