Lirie Xhepa, 49-vjeçe banuese në zonën periferike të Kombinatit në Tiranë, u gjet sot e masakruar dhe me 3 plumba në kokë e trup, e hedhur në një masiv shkurresh pranë liqenit të Sharrës.
U deshën disa orë që policia të bënte të mundur identifikimin e viktimës, pasi vrasësi i saj e kishte shpërfytyruar, duke e dhunuar. Sipas informacioneve ka qenë djali i vogël i viktimës, e cila është nënë e 4 fëmijëve ai që ka bërë të mundur identifikimin e nënës së vdekur.
Që nga koha kur bashkëshorti i saj ishte ndarë nga jeta, Lirie Xhepa kishte jetuar me djemtë, ndërsa aktualisht në banesë kishte vetëm dy prej tyre. Ndërkohë, më i madhi ndodhet në Londër, ndërsa djali i dytë është në burg për arsye që nuk dihen.
Pavarësisht se autori i ngjarjes ishte larguar me shpejtësi kur kishte hedhur që nga makina trupin e viktimës pranë liqenit të Sharrës, policia e Tiranës me shpejtësi ka identifikuar kunatin e 49-vjeçares, Dashamir Xhepa si vrasësin e dyshuar.
Kjo pasi, grupi hetimor ka dyshime të forta që kemi të bëjmë me një krim pasioni në ditën e “Shën Valentinit”. Dyshohet se viktima ka pasur një lidhje intime me vëllain e bashkëshortit të ndjerë, të cilës ajo ka dashur t’i japë fund.
Viktima me kunatin e saj janë fqinj, banesat e tyre janë 500 metra larg, dhe ndodhen në lagjen “Qershori” në periferi të kombinatit.
Prokurorët kanë të dhëna të forta të besojnë se gjithçka mund të ketë ndodhur pas një debati të fortë mes të dyve dhe se vrasja mund të ketë qenë e paramenduar nga autori, i cili është shpallur në kërkim nga policia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




