Gazeta Si – Dy autorët e vrasjes së Grei Bihucit disa ditë më parë në qendër të Fierit për motive të dobëta, Florjan dhe Klajdi Muka, u lanë në burg.
Gjykata e Fierit ka caktuar masën e sigurisë për akuzën e vrasjes me paramendim në rrethana cilësuese në bashkëpunim për dy kushërinjtë, ku mbeti viktimë 19-vjeçari Grei Bihuci dhe u plagos shoku i tij, Olsi Serjanaj.
Sipas dosjes hetimore viktima nuk është përfshirë në konfliktet e mëparshme por është ndodhur i pranishëm në ditën e ngjarjes, ku mbeti edhe viktimë.
Në gjykatë, i mituri Klajdi Muka ka qënë i shoqëruar në seancë nga babai i tij dhe psikologia Kamela Xhafaj.
Në dëshmitë ë tyre, ata kanë deklaruar se sherri që çoi në vrasjen e Grei Bihucit ka nisur ne dhjetor mes autorit Florjan Muka dhe Auron Çelës, pasi ky i fundit i kishte marrë një thikë dhe nuk ia kishte kthyer në kohë.
Kur Floriani i ka marrë thikën Auronit, dyshohet se e ka rrahur dhe fyer megjithëse në deklaratën e tij, Floriani thotë se nuk kanë “bërë debate”.
Për këtë arsye ka nisur një armiqësi mes Mukës dhe Auron Çeles, ku ky i fundit ka kërkuar të hakmerret.
Çela i ka kërkuar Mukës të takoheshin sërish në 10 mars, një ditë para vrasjes dhe bashkë me të ishte edhe Nebi Alimadhi. Ky i fundit, sipas Çelës e ka fyer dhe kapur për veshi Florianin.
Ditën tjetër, të rinjtë janë takuar serish. Dy grupe tashme, ku me Florianin ishte edhe kushëriri i tij, ndërsa me Auron Çelën ishte Nebiu, Olsi Serjanaj, viktima dhe një person tjetër i paidentifikuar.
Sipas deklarimeve të para në prokurori, Nebiu e qëlloi me grusht dhe më pas nisi një konflikt fizik.
Sipas Mukës grupi i Çelës në të cilin ndodhej edhe viktima, e ka sulmuar atë dhe kushëririn e tij.
Për këtë arsye Muka ka nxjerre thikën dhe e ka drejtuar nga të rinjtë, duke qëlluar Grei Bihucin pa ditur siç thotë ai, se do ta plagoste për vdekje.
Më pas thotë Muka, “jam larguar me vrap poshtë urës dhe kam ndaluar kur dëgjova sirenat e policisë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




