Gazeta Si - Prokuroria e Posaçme kërkoi dënimin me burg përjetë për Ardian Çapjan, i akuzuar si porositës i vrasjes së Nezar e Gentian Beqirit, babë e bir.
Për vrasjen e dyfishtë të ndodhur në vitin 2012, u kërkua dënimi me burg për jetë edhe për Olsi Lekun, ndërsa për Florenc Çapjan, SPAK kërkoi dënimin e tij me 25 vjet burg.
Nga 20 vite u kërkua për Klajdi Dokollin dhe Etjen Canin.
Për shkak të bashkëpunimit me drejtësinë, për të pandehurin Ervis Bardhi, Prokuroria kërkoi dënimin e tij me 6 vjet burgim.
Gentian dhe Nezir Beqiri u ekzekutuan në shtëpinë e tyre në 15 gusht 2012, nga Jorgo Leku në bashkëpunim me Etien Canin.
Ata ishin paraqitur në shtëpinë e Nezir Beqirit si miqtë e djalit, Gentianit i cili ndodhej i paralizuar dhe në arrest shtëpie, pas një përplasje me policinë, pasi ishte në kërkim për një tjetër ngjarje të rëndë të ndodhur në Elbasan.
Etien Cani bashkë me Lekun, shkuan në shtëpinë e shokut të tyre Gentian Beqiri, duke përshëndetur policët e vendosur në hyrje të pallatit për të mbikëqyrur Nezirin.
Ishte babai i shokut të tyre ai që i hapi derën, pasi njohu shokët e djalit. Në atë moment Cani qëlloi me armë ndaj Beqirit duke e lënë të vdekur në vend.
Pista ku u pëqendrua Prokuroria, është ajo e hakmarrjes së vjetër me Çapjat, pasi Gentian Beqiri ishte një ndër tre personat që ekzekutuan Sokol Çapjan në një lokal në dhjetor 2005 në Elbasan, duke çelur kështu serinë e hakmarrjeve mes familjeve në këtë qytet.
Pas Beqirit disa vite më vonë u ekzekutua në Elbasan, vëllai i tij, Astrit Beqiri.
Ai u gjet i vrarë pranë një karburanti në prill të vitit të shkuar në lagjen “28 Nëntori” në Elbasan. Policia nuk ka ende të dyshuar për vrasjen, por dyshimet e para të tyre lidheshin me një gjakmarrje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.