Gazeta Si – Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe dërgoi në gjyq dojen në ngarkim të dy vëllezërve, Agim dhe Kreshnik Gashi për vrasjen e Elton Javorit në dhjetor të vitit 2023.
Bashkë me dy vëllezërit, në gjyq janë dërguar dhe tre persona të tjerë të akuzuar për moskallëzim krimi e përkrahje të autorit.
“Në përfundim të hetimeve të plota dhe dinamike, përfshirë edhe përdorimin e metodave proaktive është provuar se, në 7 dhjetor 2023 rreth orës 11:00, në lagjen “16 Prilli”, Rruga “Kujtim Majaci” të qytetit të Fierit, dy vëllezërit në bashkëpunim mes tyre, kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjetit tip “Porsche Cayenne”, i drejtuar nga shtetasi Elton Javori, i cili ndërroi jetë”, – njofton Prokuroria e Fierit.
Vëllezërit K.G. dhe A.G., akuzohen për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Prokuroria thotë se R.P., akuzohet për kryerjen e veprës penale “Përkrahja e autorit të krimit”. Për shtetasin A.L., rëndon akuza “Moskallëzimi i krimit”.
Sakaq, sips prokurorisë, E.Xh., akuzohet për kryerjen e veprës penale “Deklarimi i rremë përpara oficerit të policisë gjyqësore”.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 7 dhjetor 2023, rreth orës 11:00, në lagjen “16 Prilli”, rruga “Kujtim Majaci” në Fier.
Kanë qenë dy vëllezërit, tashmë të pandehur, të cilët kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip “Porche Cayenne”, që drejtohej nga 41-vjeçari, Elton Javori, i cili humbi jetën si pasojë e plagëve të marra.
Vrasja e tij u bë rreth 100 metra larg banesës së tij, ku ai jetonte me prindërit. Asokohe kishte rreth tre muaj që ishte kthyer nga Gjermania.
Sipas policisë, mes Javorit dhe vëllezërve, ka pasur një konflikt të mëparshëm për motive të dobëta. Rreth 10 ditë para krimit, në një lokal të Fierit, Javori dhe një prej vëllezërve fillimisht kishin debatuar verbalisht e më pas viktima e kishte goditur me grusht Gashin.
Dyshohet se ky e fundit nuk e kishte harruar këtë sherr dhe në momentin e parë që u takuan, vendosi të hakmerrej.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.