Gazeta Si – Tre ditë pas vrasjes së 42-vjeçarit Egli Proga në Pogradec, vijojnë polemikat dhe kritikat për ndryshimin e akuzës nga ana e Prokurorisë së Korçës, nga “vrasje me dashje”, në “vrasje nga pakujdesia”, për autorin e dyshuar të ngjarjes, Denis Meçe.
Një ditë më parë, Gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë së Korçës me këtë akuzë, duke lënë në burg autorin dhe liruar 3 bashkëpunëtorët e tij, edhe pse nga ana e policisë, ngjarja ishte referuar si “Vrasje me dashje”.
Gjykata, në reagimin e saj shprehet se, në këtë fazë të procesit penal, në shqyrtimin e kërkesave për caktimin e masave të sigurimit personal, gjyqtari i hetimeve paraprake nuk mund të bëjë ndryshimin e cilësimit juridik të veprës penale për të cilën procedohet personi nën hetim dhe as të caktojë një masë sigurimi më të rëndë se ajo e kërkuar.
Reagimi i Policisë
Në konferencën për shtyp këtë të mërkurë, Drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, tha se grupi hetimor ka kryer të gjitha procedurat dhe ka zbardhur ngjarjen në kohë rekord, duke shtuar se ngjarja në prokurori është referuar si “Vrasje me dashje”.
“Falë reagimit në kohë të Policisë u bë e mundur kapja dhe arrestimi i tij për veprën penale “Vrasja me dashje”. E theksoj, “Vrasja me dashje”! Nëse Prokuroria ka kërkuar një masë tjetër nga ajo për të cilën Policia e Shtetit ka kryer arrestimin, kjo është një çështje që, as nuk na takon, as kemi tagrin ta komentojmë”, – tha Rrumbullaku.
Reagimi i Gjykatës së Korçës
Pas kritikave për vendimin ndaj autorit dhe bashkëpunëtorëve të vrasjes së 42-vjeçarit në Pogradec, ka reaguar edhe Gjykata e Korçës, ku në një njoftim për mediat thuhet mes të tjerash: “Në këtë fazë të procesit, nuk mund të ndryshojmë cilësimin juridik të veprës penale”.
Pas lehtësimit të akuzës për “vrasje nga pakujdesia”, Gjykata e Korçës po ashtu thekson se “është pranuar kërkesa e Prokurorisë e bazuar në prova dhe në ligj”, ndërsa shton se çështja është “ende nën hetim”.
ILD verifikon prokuroren dhe gjyqtaren
Ndërkohë, sipas burimeve paraprake, Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë, mësohet se ka nisur verifikimet në adresë të gjyqtares dhe prokurorisë së Korçës, që hetuan Denis Meçen, i dyshuar për vrasjen e Eglantin Progës.
Ajo që kërkojnë të zbardhin inspektorët, është se si u ndryshua akuza nga “vrasje me dashje” në “vrasje nga pakujdesia”.
Ka qenë gjyqtarja Luljeta Kole, ajo ka pranuar kërkesën e prokurores, për të lënë nën “arrest me burg” Denis Meçen për një vepër tjetër nga ajo që ka referuar Policia e Shtetit.
Policia: Ngjarja nuk u fsheh, s’ka lidhje gjobëvënia!
Sakaq, gjatë konferencës për shtyp, Muhamet Rrumbullaku ka shtuar se në asnjë rrethanë, asnjë nga punonjësit e policisë nuk ka tentuar që të fshehë ngjarjen e rëndë.
Më tej, Rrumbullaku ka thënë se baltosja e Policisë së Shtetit në këtë rast është e dënuar moralisht dhe ligjërisht.
Kryepolici theksoi se ngjarja nuk ka lidhje me gjobëvenien, por është konflikt i çastit. “S’ka lidhje me gjobvënien është konflikt i çastit”, – tha Rrumbullaku.
“Ka vijuar një dezinformim dhe keqinformim lidhur me ngjarjen e ndodhur pak ditë më parë në Pogradec ku humbi jetën një 42-vjeçar. Jam i detyruar të informoj publikun se aludimi se është tentuar të fshihet ngjarja nga shefi i Komisariatit të Pogradecit është i pabazë. Është skandaloz pasi nuk ka asnjë provë. Në asnjë moment dhe asnjë rrethanë nuk është tentuar të fshihet apo të minimizohet ngjarje e rëndë. Është vlerësuar maksimalisht nga komisariati i Pogradecit”.
Rrumbullkau tregon se “është shkuar në vend ngjarje, janë sekuestruar kamerat e ambienteve përreth, janë shoqëruar disa persona, janë kryer veprimet e hetimeve. Si rezultat i veprimeve profesionale të kryera nga grupi hetimor, u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi i ngjarjes. Është identifikuar autori dhe arrestuar tre të tjerë për moskallëzim krimi. Drejtoria e Policisë Korçë ka dhënë njoftimin e parë zyrtar, që për arsye të ndryshme u deformua dhe u mohua. Baltosja në këtë rast është jo thjeshtë e pabazuar por është e dënuar moralisht dhe ligjshmërisht. Dua tu bëj me dije se do të ndërmerren hapa ligjore për të bërë deri ën fund transparencë mbi shkaqet e këtij dezinformomi. Ngjarjet janë të qarta si drita e diellit. Ne e kemi referuar si vrasje me dashje”, – tha Rrumbullaku.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.