Gazeta Si – Pas 15 muajsh në paraburgimin e Drenovës, Gjykata e Korçës vendosi të lirojë nga qelia dhe t’i vendosë në “arrest shtëpie”, Leonidha Guçen dhe Denis Meçen, të arrestuar për vrasjen e Eglantin Progës në Pogradec gushtin e vitit 2024.
Sipas gjykatës, vendimi u mor, pasi Prokuroria e Korçës ka shkelur afatet e paraburgimit dhe caktoi ndaj tyre një masë më të butë sigurie deri në përfundim të hetimeve.
Duket se vonesa në dokumentimin e plotë të ngjarjes, është bërë shkak që pala mbrojtëse e Denis Meçes dhe Leonidha Guçes të kërkojë ndryshimin e masës së sigurisë për ta.
Aktualisht, pritet që ata të ndjekin vijimësinë e hetimeve jashtë qelisë, ndërsa akuzohen për “vrasje me dashje”, e kryer në bashkëpunim.
Leonidha Guçe fillimisht ishte hetuar vetëm për “moskallëzim krimi”, por 9 muaj pas vrasjes, prokuroria zbuloi se edhe ai kishte marrë pjesë në dhunën brutale të Progës, bashkë me Denis Meçen.
Ndërkohë, Arjan Manellari, Voltan dhe Andi Shkulaku, të akuzuar për “moskallëzim krimi”, po hetohen prej kohësh në masën “detyrim paraqitje”.
Ndërkohë, Prokuroria e Korçës vijon hetimet dhe është ende në pritje të akt-ekspertimit, ku një pjesë e pamjeve filmike rezulton e fshirë.
Dosja ishte dërguar fillimisht për gjykim me disa të pandehur, por pas dëshmisë së Denis Meçes në prokurori, çështja u rikthye për rihetim.
Tashmë hetuesit presin rezultatin e ekspertizës që po kryhet në një laborator kompjuterik në Itali, në një përpjekje për të rikthyer pamjet e humbura dhe për të qartësuar rolin e të dyshuarve në ngjarje.
Ngjarja e rëndë ndodhi në 10 gusht të vitit të kaluar në Pogradec, pranë vendit të njohur si “Agjencia”. Egli Proga u gjet pa ndjenja në rrugë dhe u dërgua me urgjencë në spital, ku humbi jetën.
Fillimisht u mendua se bëhej fjalë për një ngjarje aksidentale, por më pas u zbulua se ai ishte rrahur për vdekje nga një prej të dyshuarve, Denis Meçe, 29 vjeç.
Ngjarja shkaktoi debate të forta vitin e shkuar dhe përplasje mes policisë e prokurorisë. Edhe motra e viktimës ka ngritur akuza të forta mbi mënyrën se si janë zhvilluar hetimet për këtë çështje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



