Gazeta Si – Pavarësisht se rezulton brenda territorit shqiptar sipas sistemit TIMS, Andrew Bode, i shpallur në kërkim si i dyshuari kryesor i ekzekutimit të Edmond Papës, dyshohet se mund të jetë jashtë vendit.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se nga të dhënat që kanë marrë, dyshohet se 44-vjeçari me origjinë nga Berati mund të jetë larguar në mënyrë ilegale jashtë Shqipërisë.
Dyshimet janë se Bode mund të jetë larguar drejt Greqisë, dhe më pas tranzit drejt vendeve të tjera. Ai është person me precedent penalë për drogë, por asnjëherë nuk është dënuar me vendim gjykate.
LEXO EDHE:
– Ekzekutimi i Edmond Papës/ Autori, Albano Velo, djali i një polici. Pas atentatit 30-vjeçari u largua nga Shqipëria
– Identifikohet ekzekutori i biznesmenit Edmond Papa, lëvizjet para dhe pas vrasjes
Mbi dyshimin se një nga autorët e vrasjes së Papës ndodhej në Greqi, një grup hetimor iu drejtua vendit fqinj për të bashkëpunuar në hetime.
Nga ana tjetër hetuesit kanë marrë në pyetje edhe babain e Albano Velos, Dilaver Velo.
Ky i fundit ishte oficer policie në komisariatin 4 dhe u pezullua nga detyra pas arrestimit të të birit si organizator në vrasjen e Papës. Dilaver Velo ka pohuar se nuk ka pasur dijeni për implikimin e të birit në ngjarje.
Por AMP ka nisur verifikimet për të verifikuar nëse i ati ka favorizuar Albano Velon për ta larguar nga Shqipëria.
Janë verifikuar tabulatet telefonike të Albano Velos që kanë vërtetuar dyshimet e policisë që ditën e krimit, më 16 dhjetor, por edhe dy ditë para vrasjes ka qenë duke lëvizur përgjatë zonës ku u vra Papa.
Deri më tani 44 vjeçari Bode nuk është shpallur në kërkim ndërkombëtar. Kjo pasi policia është në pritje që gjykata të caktojë masën e sigurisë arrest në burg në mungesë.
Pas vendimit, nëpërmjet Interpolit emri dhe foto e Bodes u dërgohet agjencive dhe partnerëve të huaj për arrestimin e 44 vjeçarit.
Sipas mediave greke, vrasja e dy shqiptarëve në Athinë, mund të ketë lidhje me vrasjen në kryeqytet të biznesmenit nga Saranda, i cili ishte dënuar më parë në Greqi për trafik droge.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.