Ka ndodhur

Vrasja e dyfishtë në Roskovec, pas babait arrestohen edhe dy djemtë e autorit të krimit dhe një 67-vjeçar

Gazeta Si- Një ditë pas vrasjes së dyfishtë në Kurjan të Roskovecit (Fier), ku Altin Kuka ekzekutoi me kallashnikov vëllezërit Lavdimir dhe Gramos Kurtaj, policia ka arrestuar edhe 2 djemtë e autorit të krimit dhe një të afërm të tij.

Ata janë, Ervis Kuka, 21 vjeç dhe E.K., 18 vjeç, pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer vrasjen, e cila sipas policisë ka ndodhur për motive të dobëta.

Gjithashtu është arrestuar edhe Tomor Zyka, banues në fshatin Cukalat (Berat), 67 vjeç, për përkrahje të autorit të krimit.

Nën hetim në gjendje të lirë, është vënë për shkak të moshës, babai i 49-vjeçarit Altin Kuka për veprat “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje i armëve të gjuetisë dhe sportive”.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 armë zjarri automatik, 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë gjahu, 4 krehra, municion luftarak, 5 automjete dhe 1 motoçikletë.

Ndërkohë, gjatë marrjes në pyetje, Altin Kuka ka sqaruar për hetuesit se është penduar për vrasjen dhe se gjithçka ndodhi ne një moment gjaknxehtësie sipas tij.

Burime nga grupi hetimor thanë se gjatë operacionit për kapjen e djalit të autorit është gjetur në një banesë të familjes Kuka në Kurjan edhe një armë tip pistolete të cilën dyshohet se e ka pasur me vete djali i Altin Kukës gjatë përballjes me dy vëllezërit Kurtaj.

Ngjarja ka ndodhur në një lokal fshati rreth orës 14:00 të së martës, ku autori i krimit kishte shkuar të “sqaronte” një debat për motive të dobëta që kishin bërë disa ditë më parë djali i tij dhe njëri nga viktimat.

Për këtë ngjarje kanë folur dhe banorët të zonës, të cilët shprehën se viktimat dhe autori ishin shumë miq dhe çdo gjë ndodhi vetëm prej zënkës së fëmijëve.

“Shumë njerëz të nderuar dhe të respektuar. Shumë punëtorë. Por të njëjtën gjë themi dhe për autorin e ngjarjes. Probleme s’ka pasur. Takoheshin dhe kishin shumë shoqëri madje. Konflikti ndodhi për punë kalamajsh. U zunë fëmijët dhe vajti kjo punë. Dy ditë kishte si konflikt. U shokuam. Na erdhi keq. Të përfundonte këtu Altini, me vrasje. Si nuk i mblodhën kalamajtë, t’i fusnin nga një pëllëmbë. Momenti, nuk ishte e planifikuar. Jemi të shokuar, pa fjalë”.

“Nga fëmijët, u vranë të mëdhenjtë. Fëmijët u zunë, si është mosha e adoleshencës. Ne u habitëm sepse ai autori më shumë rrinte me ta. Arriti që u vranë. Në vend që t’i flisnin fëmijëve, u vranë të mëdhenjtë. Vetëm krismat dëgjuam”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë