Gazeta Si – Gjykata e Kurbinit ka dënuar me burgim të përjetshëm Eduard Lamajn, njëri nga ekzekutorët e Bujar Likës dhe Paulin Gjergjit në 30 maj 2020 në një hotel në Mamurras.
Masa e dënimit u kërkua në seancën e 4 tetorit 2022 nga Prokuroria e Laçit, e cila lexoi pretencën para gjykatës, ndërsa këtë të martë u dha vendimi.
Në këtë proces gjyqësor, i pandehur është edhe Ilir Lika, ndaj të cilit prokuroria kërkoi deklarimin fajtor dhe dënimin me 35 vite burgim, ndërsa sot ai u dënua me 33 vite burg.
Lika u arrestua në zonën e Yzberishtit në Tiranë, ndërsa Eduard Lamaj është ndaluar teksa merrte mjekim në ambientet e një klinike private në zonën e “Qytet Studentit”.
Lamaj, në këtë ngjarje mbeti i plagosur në këmbë, si pasojë e shkëmbimit të zjarrit që pati me njërin prej viktimave, Bujar Lika.
Prokuroria në pretencën e saj ka pretenduar se Eduard Lamaj dhe Ilir Lika, kanë bashkëpunuar së bashku dhe me dy persona të tjerë, për vrasjen e Bujar Likës dhe Paulin Gjergjit. Lika ishte një mik i ngushtë i Ervis Martinajt dhe Ylli Brahimit, i plagosur para pak kohësh në Milot gjatë një atentati.
Brahimi gjatë gjithë ditës së ngjarjes, ka qenë nën shoqërinë e Bujar Likës dhe në gjyqin kundër Lamajt dhe Ilir Likës, është thirrur si dëshmitar.
Në dëshminë tij, Eduart Lamaj është shprehur se u ka kërkuar ndihmë tre shokëve të tij për realizimin e planit, por objektiv sipas tij ishte Ilirjan Allamani, i cili në ato momente nuk ka qenë në ambjentet e lokalit, por me të kishte konflikte të hershme që në Itali për parare të prishura të drogës, ky ku i fundit nuk i jepte borxhin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.