Rend dhe Ligj

Vrasja e dyfishtë në Elbasan, dyshime të forta për grupin e Dubait

Që të dy të maskuar dhe me armë në dorë zbritën pa asnjë frikë në afërsi të asaj që njihet në Elbasan si rrethrrotullimi i Luleve. Në pikën e karburantit ishte shënjestra e tyre dhe po aty vendi ku do qëllonin pa mëshirë.

Dy vrasësit ende të paidentifikuar, njëri me pistoletë dhe tjetri me automatik të shkurtër, qëlluan mbi Lulzim Bitrin dhe Ardian Çollakun, i cili u plagos rëndë dhe për këtë  u dërgua drejt spitalit. Por këtë të mërkurë ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Çollaku merrej me shitblerje makinash dhe me viktimën Bitri e bashkonte një fije shumë e fortë miqësia dhe anëtarësia në grupin e Talo Çelës, një i shumë kërkuar dhe që nga arratia po kryen krime që me shumë gjasë, disa prej tyre janë jo vetëm përplasje të forta, por edhe për të mbyllur llogaritë me grabitjen në Aeroportin e Rinasit.

Burime të Gazetasi.al, pranuan se atentati mafioz në të cilin shënjestrat u qëlluan me 15 plumba, nuk është asgjë tjetër, veçse një përplasje e fortë midis grupeve kriminale në qytetin e Elbasanit, të cilat po asgjësojnë ushtarët e njëri- tjetrit.

Pyetjes së Gazetasi.al, se kush është grupi tjetër që ka forcë në këtë qytet dhe që dyshohet si i përfshirë në këtë atentat, zyrtarë të hetimit iu përgjigjën se bëhet fjalë për grupin e Dubait (për të cilin Gazetasi.al, ka raportuar edhe me herët ekskluzivisht).

Çollaku, sipas burimeve të Gazetasi.al, është klient i rregullt në lokalin tek pika e karburantit dhe agjenda e tij ishte mjaft e kontrolluar, ashtu sikundër edhe e Bitrit.

Në orën 19.00 të së hënës, sipas burimeve policore në Elbasan, aty shfaqet Lulzim Bitri, më pas Çollaku ngrihet në këmbë dhe nis bisedën me mikun e tij. Për gati 15 minuta të dy burrat qëndrojnë në këmbë dhe sipas dëshmitarëve diskutojnë.

Janë të qetë. Derisa aty shfaqet mjeti tip “Volvo”, që nga verifikimet e mbrëmshme të policisë, rezulton i vjedhur së bashku me targat, një metodë kjo mjaft e përdorur nga kriminelët që kryejnë ekzekutime të konfirmuara tanimë si vrasje mafioze.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë