Lajme

Vrasja e dy të rinjve në Durrës, shoqërohen 45 persona

Pas vrasjes së dyfishtë mbrëmjen e së hënës në Durrës, policia ka shoqëruar 45 persona nga qytete të ndryshme për t’u marrë në pyetje. Megjithatë deri tani nuk ka asnjë të ndaluar.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen nr.14 Nishtulla të Durrësit. Viktima mbetën Dorian Shkoza, 35 vjeç, person me precedentë penalë dhe i dënuar me 8 vjet burg për trafik lëndësh narkotike dhe Anxhelo Avdiaj.

Avdia dhe Shkoza ishin duke ecur në këmbë kur u qëlluan me pistoletë për vdekje nga një makinë tip “Benz”. Vetëm pak minuta pas vrasjes së dy të rinjve, në hyrje të Rrogozhinës, në vendin e njohur si “Bishti i Zhurit” policia gjeti një mjet tip “Benz” duke u djegur, targat e të cilave kanë qenë të vjedhura nga një tjetër mjet.

Hetuesit po shqyrtojnë aktivitetin e shkuar të viktimave për të përcaktuar edhe pistat e hetimit. Situata ende është e paqartë për grupin hetimor, ndërsa pista e parë ku po hetohet lidhet me prishjen e pazareve të drogës ose konflikte të tjera.

Ndërkohë, mësohet se Dorian Shkoza, njëri prej viktimave të atentatit ishte pjesë e listës emërore të “Operacionit Forca e Ligjit” dhe pritej që në ditët në vazhdim zëdhënësja e OFL-së të shqiptonte emrin e tij për të justifikuar pasurinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë