Dosje

Vrasja e çiftit/ Viktimat me urdhër-mbrojtjeje. Vëllezërit, konflikte për agjencinë dhe vendin e parkimit

Gazeta Si - Një konflikt i vazhdueshëm për pronën, por edhe ardhja e një fletë-thirrjeje nga gjykata, duket se janë bërë shkak për ngjarjen e rëndë në zonën e "Myslim Shyrit", ku Arsen Muskurti vrau vëllanë dhe kunatën, Alban dhe Nora Muskurti me armë zjarri.

Ngjarja ka ndodhur pas konflikteve të vazhdueshme, për të cilat viktimat kishin kërkuar urdhër-mbrojtje nga autori në gjykatë.

Muskurti kishte kërkuar urdhër-mbrojtje nga vëllai dhe duket se kjo ka bërë që 38-vjeçari të humbë arsyen e të ndërmarrë aktin ekstrem.

Aktin e kishte paralajmëruar që më parë në “Facebook” dhe pasi u pajis me një armë pa leje, shkoi në vendin e tyre të punës dhe i vrau. Dy orë pas ngjarjes, ai u arrestua në rrugën “5 Maji” në Tiranë.

Gjatë marrjes në pyetje i arrestuari ka qenë nervoz teksa ka shpjeguar edhe konfliket qe kishte më të vëllanë dhe kunatën e tij të cilët sipas tij e bullizonin.

Ai nuk ka shfaqur asnjë pendesë dhe ka thënë se vëllai dhe kunata e kishin e zili për punën, si dhe ka treguar edhe që ka patur konflikte për menaxhimin e bizneseve dhe pronave.

Por edhe pretendimi për agjencinë turistike dyshohet të jetë edhe shkak i kësaj vrasjeje. Dy vëllezërit kanë qenë ortakë në biznes, por më pas ishin ndarë, duke shkuar deri në konflikte të vazhdueshme.

Para pak kohësh ata janë zënë edhe për vendin e një parkimi para biznesit të tyre kur punonin bashkë, ndërsa autori kishte edhe një dyqan në rrugën “5 Maji” me produkte kozmetike bimore.

Mirëpo ky nuk ishte konflikti i vetëm, pasi autori me anë të statuseve në rrjetet sociale, i akuzonte 2 viktimat se kishin krijuar profile false për të sharë hoxhallarët, gjë që për autorin ishte e papranueshme.

Ai ishte predikues i fesë islame, teksa për arrestimin e tij shkoi edhe RENEA për shkak se kishte dyshime që ishte radikal dhe përbënte rrezikshmëri për persona të tjerë.

Pas arrestimit, Arsen (Hamza) Muskurti u ka treguar hetuesve edhe rrugën se ku e kishte hedhur armën pistoletë me të cilën vrau vëllain dhe kunatën.

Arma është gjetur nga policia dhe është sekuestruar.

Ngjarja ndodhi pasditen e të martës rreth orës 16:40, në një prej zonave më të frekuentuara në kryeqytet, ndërsa autori nuk ishte një person i panjohur.

Dyshja konfliktoheshin çdo ditë, edhe për parkimin e makinave, ndërsa jetonin me shtëpi në zonën e Alliasit.

Dy bashkëshortët dhe familjari i tyre kishin pasur debate prej kohësh, të cilat u përshkallëzuan deri në krimin e sotëm. Përplasjen më të fundit e kishin pasur para dy ditësh.

Duket se kjo ngjarje e kishte fundin e pritur, pasi ka dhe denoncime nga vëllezërit kundër njëri-tjetrit.

Arsen (Hamza) Muskurti ka bërë një postimi në 13 gusht lidhur me dy viktimat, ku shkruan se ata dërgojnë njerëz në Umra (peligrinazh në Meka) dhe se merren me mashtrime e shpifje.

Ai flet me një gjuhë urrejtje për ta në postime, duke u thënë që ata duhet të kenë turp për veprimet e tyre.

Nga fjalët e ashpra të përdorura në mesazhet e tij, vrasja e dyfishtë duket një krim i paralajmëruar.

Të dy vëllezërit Muskurti kishin nga dy emra, autori Arsen dhe Hamza, ndërsa Dritani mbante dhe emrin Alban.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë