Gazeta Si – Kamber Sulçaj, i shpallur në kërkim si autori i dyshuar i vrasjes së biznesmenit italian, Edoardo Sarchi në Tepelenë, është vetëdorëzuar në Policinë e Gjirokastrës.
Sipas burimeve, ai është shoqëruar nga avokati i tij. 48-vjeçari, banues në Mesaplik, Vlorë ishte shpallur në kërkim për akuzat “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve dhe municionit” dhe “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”.
Sulçaj e kreu krimin e rëndë në mbrëmjen e 27 shtatorit në fshatin Salari të Tepelenës, ku biznesmeni Sarchi ndodhej me ortakun e tij, Eqerem Braçi dhe djalin e këtij të fundit, Gazmend Braçi për gjueti.

Sipas hetimeve të deritanishme, dyshohet se ngjarja ndodhi për shkak të një konflikti që autori kishte pasur me Gazmend Braçin për dritat e gjata të makinës së tij. Pas këtij debati, Braçi ishte nisur për në banesën e tij në Salari, por gjatë rrugës i ishte prishur makina.
Për ta ndihmuar, kishte telefonuar biznesmenin italian dhe babain e tij, të cilit kishin shkuar në vendngjarje me dy makina.
Në atë moment ata kanë hasur edhe agresionin e autorit Sulçaj, i cili e kishte ndjekur Braçin dhe kishte hapur zjarr drejt tyre.
Të shtënat zgjatën për disa minuta dhe një prej plumbave kapi të ndjerin Sarchi. Fillimisht, u dyshua se autor i ngjarjes, kishte qenë Gazmend Braçi, por dëshmitë e personave dhe pamjet e kamerave të sigurisë zbardhën çdo gjë duke zbuluar sesi autori pas ngjarjes kishte fshehur armën e gjahut në stanin që kishte në pronësi.
Sipas informacioneve, në banesën e Kamber Sulçes janë gjetur edhe armë të tjera pa leje, ndërsa vetë autori ishte person me precedentë penalë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



