Drejtësia

Vrasja e Behar Sofisë, SPAK kërkon nga 30 vite burg për 4 të pandehurit dhe 7 për autorin (e penduar) të krimit

Gazeta Si – SPAK ka kërkuar nga 30 vite burg për secilin prej 4 të pandehurve të akuzuar për vrasjen e Behar Sofisë, ndërsa për bashkëpunëtorin e drejtësisë, Ernejt Shyti, vetëm 7 vite burg.

Konkretisht, SPAK ka kërkuar nga 30 vite burg për të pandehurit: Bujar Leza; Leonard Xhixha; Skënder Vathi; Xhuljano Visha.

Me statusin e të penduarit, Shyti ka rrëfyer para prokurorëve se përveç Sofias, kishte marrë porosi edhe për dy vrasje të tjera, për të cilat nuk ishin vënë në dispozicion as fotografi dhe as emër.

Siç ka treguar ai vetë, pasi vuri në shënjestër 66-vjeçarin Sofia, i dyshuar si trafikant droge, kishte studiuar për një muaj lëvizjet e tij deri ditën e ngjarjes, për realizimin e së cilës i ishin premtuar 50 milionë lekë të vjetër.

Goditja është kryer në kohën kur Behar Sofia ka dalë në trotuarin ngjitur Lanës.

23-vjeçari e ka ndjekur nga mbrapa, duke e qëlluar me dy plumba, dhe më pas ka marrë rrugën poshtë urës së Lanës, aty ku një ditë më parë kishte lënë biçikletën, me të cilën u largua drejt kodrave të Liqenit, me destinacion final Terminalin e Autobusëve.

Gjatë largimit nga skena e krimit, autori ka hedhur kapelën, maskën si dhe një bluzë në afërsi të një koshi te mbeturinave.

Këto prova janë gjetur nga policia bashkë me telefonin ne xhepin e bluzës që kishte veshur autori ditën e krimit.

Autori i dyshuar i vrasjes së Sofisë, i identifikuar nga policia shqiptare, është kapur në Podgoricë, Mal të Zi, për t’u ekstraduar menjëherë drejt Shqipërisë.

Sipas hetimeve, Behar Sofia, i cili konsiderohet nga policia si “baron i drogës”, është vrarë për shkak të konflikteve të hershme për trafikun e heroinës nga Turqia në drejtim të Shqipërisë dhe më pas në vendet e BE.

Pasi u arrestua në Mal të Zi Shyti vendosi të bashkëpunojë me drejtësinë dhe tregoi bashkëpunëtorët e tjerë Skënder Vathi, 54 vjeç, Leonar Xhixha, Xhuljano Visha. Ndërsa Bujar Leza u zbulua nga hetuesit disa muaj më vonë pas ngjarjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë