Drejtësia

Vrasja e Behar Sofisë, GJKKO dënon me 127 vite burg në total 5 nga të akuzuarit

Gazeta Si – GJKKO ka dënuar me 127 vite burg në total 5 nga të akuzuarit për vrasjen e Behar Sofisë, ngjarje e ndodhur në Tiranë në 25 shkurt 2021.

Kështu, gjykata pranoi të plotë kërkesën e SPAK dhe dënoi 4 prej tyre me nga 30 vite burg secili: Bujar Leza; Leonard Xhixha; Skënder Vathi; Xhuljano Visha.

Ndërsa për personin që kreu vrasjen, Ernejt Shytin 7 vite burg. Ishte ky i fundit, që përfitoi ulje të masës së dënimit për shkak të statusit të bashkëpunëtorit të drejtësisë që ndihmoi hetuesit në zbërthimin e grupit të vrasësve. Ata i kishin dhënë Shytit porosinë për vrasjen e Behar Sofisë kundrejt shumës prej 50 mijë euro.

Ai u arrestua rreth dy javë pas krimit në Mal të zi, ndërsa pas tij u prangosën edhe bashkëpunëtorët e tjerë.

Mes tyre dhe Skënder Vathi, i cili sipas hetimeve të kryera nga SPAK dyshohet se ka patur rolin e organizatorit të atentatit ndaj Behar Sofisë.

Ndërsa porositës i vrasjes së 66-vjeçarit, hetimet zbuluan se ishte Jemin Shera, person ky i cili vijon të jetë në kërkim nga autoritetet dhe po gjykohet në një proces të veçuar.

Gjatë seancave gjyqësore, me statusin e të penduarit, Shyti ka rrëfyer para prokurorëve, se përveç Sofias, kishte marrë porosi edhe për dy vrasje të tjera, për të cilat nuk ishin vënë në dispozicion as fotografi dhe as emër.

Siç ka treguar ai vetë, pasi vuri në shënjestër 66-vjeçarin Sofia, i dyshuar si trafikant droge, kishte studiuar për një muaj lëvizjet e tij deri ditën e ngjarjes, për realizimin e së cilës i ishin premtuar 50 milionë lekë të vjetër.

Goditja është kryer në kohën kur Behar Sofia ka dalë në trotuarin ngjitur Lanës pranë Piramidës në kryeqytet.

23-vjeçari e ka ndjekur nga mbrapa, duke e qëlluar me dy plumba dhe më pas ka marrë rrugën poshtë urës së Lanës, aty ku një ditë më parë kishte lënë biçikletën, me të cilën u largua drejt kodrave të Liqenit, me destinacion final Terminalin e Autobusëve.

Gjatë largimit nga skena e krimit, autori ka hedhur kapelën, maskën si dhe një bluzë në afërsi të një koshi te mbeturinave.

Këto prova janë gjetur nga policia bashkë me telefonin në xhepin e bluzës që kishte veshur autori ditën e krimit.

Autori i dyshuar i vrasjes së Sofisë, i identifikuar nga policia shqiptare, është kapur në Podgoricë, Mal të Zi, për t’u ekstraduar menjëherë drejt Shqipërisë.

Sipas hetimeve, Behar Sofia, i cili konsiderohet nga policia si “baron i drogës”, është vrarë për shkak të konflikteve të hershme për trafikun e heroinës nga Turqia në drejtim të Shqipërisë dhe më pas në vendet e BE.

Pasi u arrestua në Mal të Zi, Shyti vendosi të bashkëpunojë me drejtësinë dhe tregoi bashkëpunëtorët e tjerë: Skënder Vathi, 54 vjeç, Leonar Xhixha, Xhuljano Visha. Ndërsa Bujar Leza u zbulua nga hetuesit disa muaj më vonë pas ngjarjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë