Gazeta Si - Gjykata e Posaçme ka dënuar me burgim të përjetshëm Ardjan dhe Florenc Çapjan për vrasjen e Nezir dhe Gentian Beqirit, ngjarje e ndodhur në gusht të vitit 2012. Dënimi për Florenc Çapjan është dhënë në mungesë, pasi ky i fundit është në arrati.
Sipas vendimit të gjykatës, Ardjan dhe Florenc Çapja duhet të vuajnë dënimin në një burg të sigurisë së lartë.
Burgim i përjetshëm është dhënë edhe për Olsi Lekun. Ndërsa Etjen Cani dhe Klajdi Dokoli janë dënuar me nga 25 vite burg. Bashkëpunëtori i drejtësisë për këtë çështje Ervis Bardhi është dënuar me 15 vite burg.
Sipas hetimeve të SPAK, porositës të vrasjes së Nezir e Gentian Beqirit janë Ardian dhe Florenc Çapja, ndërsa Olsi Leku është personi që është marrë me organizimin e vrasjes. Ndërsa Cani dhe Dokoli kanë pasur rolin e ndihmësve në këtë ngjarje.
Gentian dhe Nezir Beqiri u ekzekutuan në shtëpinë e tyre në 15 gusht 2012, nga Jorgo Leku në bashkëpunim me Etien Canin.
Ata ishin paraqitur në shtëpinë e Nezir Beqirit si miqtë e djalit, Gentianit, i cili ndodhej i paralizuar dhe në arrest shtëpie, pas një përplasje me policinë, pasi ishte në kërkim për një tjetër ngjarje të rëndë të ndodhur në Elbasan.
Etien Cani bashkë me Lekun, shkuan në shtëpinë e shokut të tyre Gentian Beqiri, duke përshëndetur policët e vendosur në hyrje të pallatit për të mbikëqyrur Nezirin.
Ishte babai i shokut të tyre ai që i hapi derën, pasi njohu shokët e djalit. Në atë moment Cani qëlloi me armë ndaj Beqirit duke e lënë të vdekur në vend.
Pista ku u pëqendrua Prokuroria, është ajo e hakmarrjes së vjetër me Çapjat, pasi Gentian Beqiri ishte një ndër tre personat që ekzekutuan Sokol Çapjan në një lokal në dhjetor 2005 në Elbasan, duke çelur kështu serinë e hakmarrjeve mes familjeve në këtë qytet.
Pas Beqirit disa vite më vonë u ekzekutua në Elbasan, vëllai i tij, Astrit Beqiri. Ai u gjet i vrarë pranë një karburanti në prill të vitit të shkuar në lagjen “28 Nëntori” në Elbasan. Policia nuk ka ende të dyshuar për vrasjen, por dyshimet e para të tyre lidheshin me një gjakmarrje.
Gjatë seancave gjyqësore, Ardian Çapja pretendoi se hetimi ndaj tij ishte inskenim, teksa gjatë seancës u përplas edhe me bashkëpunëtorin e drejtësisë, Ervis Bardhin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.