Ngjarje

Vrasja e Ardit Spahiut në Belgjikë, prokuroria kërkon burg përjetë për Franc Çopjen

Gazeta Si – Dy prokurorë federalë, kërkuan burgim të përjetshëm këtë të hënë për Franc Çopja alias Gergely, pasi u shpall fajtor nga Gjykata e Krimeve të Rënda të Brukselit për vrasjen e Ardit Spahiut dhe për drejtimin e një organizate kriminale të trafikut të drogës.

Prokurorët po kërkojnë gjithashtu një referim në gjykatë për një minimum dënimi prej pesë vjetësh. Ata argumentojnë se trupa gjykuese nuk mund të marrë në konsideratë rrethana lehtësuese kur përcakton dënimin e Franc Gergely-t.

Gjyqi për vrasjen e Ardit Spahiut filloi gjashtë javë më parë dhe tani është zhvendosur në Pallatin e Drejtësisë, në ish-selinë e NATO-s në Haren.

Franc Gergely, i dyshuari kryesor në këtë çështje, u shpall fajtor të premten për urdhërimin e vrasjes së Spahiut, një plan që kishte qenë në përgatitje për muaj të tërë.

38-vjeçari Spahiu, u vra më 27 nëntor 2020, në Sint-Jans-Molenbeek. Ai ishte rival i klanit Çopja dhe Mikael Qosjes dhe u qëllua nëntë herë në shpinë dhe në kokë.

Individ i rrezikshëm

Të hënën, prokurorët në fund përcaktuan “mendjen operacionale” të komplotit që çoi në vrasje. “Ai ka njëfarë depërtimi strategjik”, tha prokurorja, Nathalie Franco.

Sipas saj, Gergely është “më manipuluesi dhe më i rrezikshmi nga vëllezërit e tij”, ka një “mungesë totale empatie” dhe është një “individ jashtëzakonisht i rrezikshëm” me një “mentalitet luftarak dhe kriminal”.

Franc Gergely “kërkohet në Shqipëri për vepra të ndryshme penale që lidhen me krime të rënda”, shtoi ajo, duke u kujtuar gjykatësve se nuk ka të kaluar kriminale në Belgjikë.

Nga ana tjetër, Spahiu konsiderohej një udhëheqës i klanit “Alibej” (njeri i familjes me Endrit dhe Erion Alibej: i pari u ekzekutua në atë që njihet si “masakra e Bradasheshit” në Elbasan para disa vitesh, ndërsa vëllai i tij është kthyer në një të penduar të drejtësisë për llogati të SPAK).

Një shembull!

“Ju nuk po kërkoni asgjë më pak se një dënim shembullor”, iu përgjigj Cédric Vergauwen, avokati i Çopjes dënimit të kërkuar nga prokurorët federalë kundër klientit të tij.

Duke kërkuar një dënim kaq të rëndë “për të dhënë një shembull”, prokurorët federalë po “largohen nga sfera e drejtësisë për të hyrë në sferën e simbolizmit”, vazhdoi gjykatësi Vergauwen.

Ai u kujtoi anëtarëve të jurisë se një dënim duhet të jetë “i nevojshëm”, jo “spektakolar” dhe mbi të gjitha, “i përshtatur individit të përfshirë”.

Edhe pse prokurorët nuk shohin “asnjë rrethanë lehtësuese” në rastin e Franc Gergely-t, avokati i tij iu referua të kaluarës së tij, historisë së tij, moshës së tij dhe dosjes së tij të pastër kriminale, si në Belgjikë, ashtu edhe në Shqipëri, ku ai kërkohet për vepra penale, por ende nuk është gjykuar. “Një dënim me burgim të përjetshëm, do të thotë mbyllja e derës për vetëanalizë”.

Lufta e klaneve

Franc Gergely lindi në Shqipëri në vitin 1992, një vit pas rënies së regjimit komunist të vendosur në vitin 1944 dhe u rrit në sfondin e një “hakmarrjeje shekullore”.

“Lufta e klaneve” e diskutuar në këtë gjyq “shkon përtej nesh” dhe “ka origjinën e saj në Shqipëri”, sipas avokatit Vergauwen.

Franc Gergely mori fjalën para se seanca të shtyhej dhe falënderoi gjykatësit për vëmendjen dhe kohën e tyre.

Ai kërkoi “dhembshuri” në përcaktimin e dënimit dhe u kujtoi atyre moshën e tij të re (33 vjeç). “Unë kërkoj vetëm zbutje të dënimit”, – përsëriti ai.

Franc Gergely, 33 vjeç, ka qenë në paraburgim në Belgjikë që nga 29 dhjetori 2023. Ai u ekstradua nga Emiratet e Bashkuara Arabe në Belgjikë atë ditë.

Ai është shtetas shqiptar, por e la vendin e tij të lindjes në moshën 16 vjeç për të punuar në Itali, pas së cilës u vendos në Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe, në vitin 2019. Ai ishte aktiv në tregtinë e drogës dhe i përfshirë në një “luftë klanesh” midis familjeve shqiptare.

Akuzat në Shqipëri

Franc Çopja akuzohet edhe nga Prokuroria e Posaçme në Shqipëri për trafik ndërkombëtar droge nga Amerika Latine drejt Belgjikës dhe vendeve të tjera të Evropës.

Zbardhja e përgjimeve në “SkyEcc” zbuloi sesi ai prdorte lidhjet e tij shqiptare në Amerikën Latine për të trafikuar tonelata me kokainë e heroinë.

Franc Çopja, ndodhet në një burg belg që nga fundi i dhjetorit 2023, pasi u bë krimineli i parë i drogës që u ekstradua nga Dubai në Belgjikë.

Para ekstradimit të tij, Franc Çopja kishte jetuar në Dubai për një kohë të gjatë (ashtu si vëllai i tij Hajdar Çopja, i shpallur në kërkim nga SPAK) dhe kontrollonte trafikun e kokainës prej andej. Hajdari, vijon të jetë në arrati dhe dyshohet se fshihet në Dubai.

Në janar 2025, SPAK vendosi sekuestrimin e 10 milionë dollarë në kriptovaluta të dy vëllezërve Çopja nga Elbasani.

Përveç miliona dollarëve në kriptovaluta, Prokuroria e Posaçme i sekuestroi dhe dhjetëra pasuri të tjera të paluajtshme, si vila, toka, njësi banimi, njësi shërbimi, apartamente etj.


Copyright © Gazeta “Si”


4 përgjigje te “Vrasja e Ardit Spahiut në Belgjikë, prokuroria kërkon burg përjetë për Franc Çopjen”

  1. I paemër thotë:

    sdadsda

  2. asdsa thotë:

    sadsdasadasd

  3. I paemër thotë:

    dadsdassda

  4. asd123123123 thotë:

    sdadsdsadsaasdsadsadsadsadasdasdasddsadsad

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë