Gazeta Si – Bashkëpunëtori i drejtësisë për krimet e grupit të Laert Haxhiut, Artan Tafani ka vijuar këtë të mërkurë me dëshminë e radhës në GJKKO, ku ka zbuluar disa prej ngjarjeve kriminale të rënda të paktën gjatë 5 viteve të fundit.
Këtë herë, në dëshminë e tij përmendet edhe Qamil Haxhiu, babai i Laert Haxhiut. Sipas Tafanit, Qamil Haxhiu pas vrasjes së Albi Bashaliut në dhjetor 2021, kishte dërguar pagesën 30 mijë euro në Tiranë, të cilën e kishte marrë nga një person me emrin “Limi”. Të njëjtën gjë e kishte bërë edhe pas një muaji.
Tafani e nisi dëshminë aty ku e la seancën e kaluar, për vrasjen e Albi Bashaliut, dinamika pas atentatit, fshehja e armës pas çmontimit dhe pagesa 30 mijë euro që e solli në Tiranë babai i Laert Haxhiut:
“Pasi mbaruam punë nuk na ndezi makina ‘Audi’ që kishim. Mora ‘Benz’-in gri me targa greke. Pasi kaluan Kavajën, kam çmontuar armën, në atë kohë kalonin dhe makina të tjera që s’duhet të na shikonin që hidhnim pjesë të armës. Kur erdhëm në Tiranë kemi lënë ‘Benz’-in në ‘Astir’ dhe për të humbur gjurmë, kemi ecur në këmbë. Kemi marrë 30 mijë euro, na ka sjellë i ati i Laertit, Qamil Haxhiu dhe ato 30 mijë i kemi ndarë në 3 pjesë; unë, Lulzim Arapi dhe Laerti. Këto lekët i ka dhënë një person që e thërrisnin Limi, me të cilin para ngjarjeve fliste Laerti me të. Pas një muaji erdhën edhe lekët e tjera, dy herë nga 10 mijë, na i solli Qamili, babai i Laertit. I ati i Laertit, Qamili një herë në dy tre muaj vinte tek ne dhe qëndronte disa ditë”.
Tafani tregoi edhe motivet pse u urdhërua vrasja e bashaliut. aI shpjegoi se Laerti po e bënte si nder ndaj Lorenc Lalës, që thirrej edhe “Lili” dhe ky i fundit e kërkonte për dy vëllezërit Xhahysa në Rrogozhinë, që pretendonin se Bashaliu u kishte vrarë babanë. Para krimit ai takoi Enriko Xhahysën në Rrogozhinë, i cili i tregoi edhe shtëpinë e shënjestrës.
“Kishim armë me silenciator, ma dha Bledar Berberi. Kishim dy armë, njëra TT, njëra me fishekë të vegjël fare, por njëra u përdor se tjetra nuk punoi. Një e kisha unë një e kishte Lulëzimi. Me sa mbaj mend e kam shkrehur katër herë, dy herë në gjoks, dy herë në shpatull. U qëllua me 6 fishekë, me sa mbaj mend. Arma ishte personale e Bledar Berberit”, – tregon Tafani.
Seancën e kaluar ai rrëfeu për disa krime të rënda dhe vrasje të kryera me udhër të Haxhiut, me motive hakmarrjeje dhe rivaliteti, për shkak të sulmeve që kundërshtarët i kishin bërë ndër vite, duke i vrarë edhe të afërm të tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.