Lajme

Vrasja e Admir Muratajt, e bija padit Policinë e Shtetit

Vajza e Admir Murataj, i cili mbeti i vrarë në shkëmbimin me armë gjatë grabitjes së 9 prillit në Aeroportin e Rinasit, i ka kërkuar Prokurorisë të zbulojë autorët e vrasjes së babait të saj.
Padia është depozituar nga vajza e Murataj pranë Prokurorisë së Shkallës së Parë për Krime të Rënda.
Familja e Admir Murataj kërkon zgjerimin e hetimeve, duke marrë të dyshuar edhe grupin e FNSH-së që mori pjesë në aksion.
Vetë avokati i familjes, Arbër Hoxhaj deklaroi për mediat se “ka dyshime të arsyeshme se Admir Murataj mund të jetë vrarë me dashje”.
Në padinë e saj, vajza e viktimës Admir Murataj, kërkon nga Prokuroria e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë zgjerimin e rrethit të personave nën hetim, duke marrë si të dyshuar, për kryerjen e veprave penale “Shpërdorim Detyre”, “Vrasje me Dashje” ose “Vrasje e kryer në kapërcim të mbrojtjes së nevojshme”, edhe punonjësit e Policisë së Shtetit konkretisht: F.N.SH. si grup i ndërhyrjes dhe ndjekjes së veprimeve, të personave të dyshuar për grabitjen ku në të cilën ka mbetur i vrarë Admir Murataj.

Ndërkohë në Gjykatën e Krimeve të Rënda procesi ndaj Murataj vazhdon, pasi në mungesë të ekspertizës së vdekjes nga mjekësia ligjore Gjykata shtyu për më 14 maj seancën për të vërtetuar se personi i vrarë është Admir Murataj.

Admir Murataj mbeti i vrarë pasditen e 9 prillit, pas grabitjes së parave brenda aueroportit të Rinasit, ndërsa ishte në kërkim si organizatori i 3 grabitjeve me blinda në harkun kohor të 2015-2017.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë