Rend dhe Ligj

Vrasja e 65-vjeçarit në Vaun e Dejës, dyshohet se autori e qëlloi nga afër dhe u largua me motor

Gazeta Si – Një hasmëri e vjetër me dy familje të tjera, njëra nga Puka, dyshohet të jetë pista kryesore e hetimit në lidhje me vrasjen e 65-vjeçarit Frrok Lleshaj në Vaun e Dejës.

Burime paraprake nga Policia e Shkodrës, thonë se janë shoqëruar në komisariat 12 persona, të cilët mund të kenë dijeni për ngjarjen.

Sipas të dhënave nga ekspertiza e policisë, 65-vjeçari është qëlluar me pistoletë nga një distancë e afërt, çka shton dyshimet se autori ka bashkëpunuar me persona të tjerë.

Policia ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë të një banese pranë vendit të ngjarjes, të cilat pritet të ndihmojnë në identifikimin e autorëve.

Gjithashtu, dyshohet se autori është larguar me motoçikletë, duke përfituar nga errësira për t’u zhdukur me shpejtësi nga vendi i krimit.

Gjithnjë sipas burimeve policore, hasmëria mes familjes Lleshaj dhe dy familjeve të tjera ka prodhuar që nga fillim të viteve ’90 pesë viktima deri më tani.

Frrok Lleshaj është i treti që vritet pas djalit dhe vëllait të tij në fillim të viteve ’90, ndërsa të vrarë janë edhe kushëriri i tij, Dodë Lleshaj, me të cilin nisi konflikti, si dhe një shtetas tjetër nga Puka.

Ngjarja e parë ndodhi në vitin 1991, kur djali i 65-vjeçarit u vra në Greqi. Asokohe u tha se i riu ishte vrarë nga policia greke në rrethana të paqarta, por familja e Frrok Lleshajt dyshonte se pas ngjarjes fshiheshin kushërinjtë e tij.

Disa vite më vonë, dyshohet se Frrok Lleshaj mori gjakun e djalit të tij, duke vrarë kushëririn Dodë Lleshaj. Megjithatë, ai nuk e pranoi asnjëherë autorësinë e kësaj ngjarjeje.

Ndërkohë, një tjetër konflikt lindi me një familje nga Puka. Frrok Lleshaj qëlloi për vdekje një person tjetër, për të cilin e pranoi autorësinë në gjykatë dhe u dënua me 25 vite burg. Nga këto dy hasmëri të vjetra dhe ende të pambyllura, mbetet i vrarë edhe vëllai i 65-vjeçarit.

Frrok Lleshaj kishte dalë nga burgu në vitin 2023, por ishte braktisur nga familja, gruaja dhe fëmijët. Ai jetonte i vetëm në fshatin Paçram, duke u marrë me blegtori.

Vrasja ndodhi pranë banesës së tij, ndërsa ai po ecte në rrugët e fshatit. Trupi i tij u gjet nga një kalimtar i rastësishëm, i cili njoftoi menjëherë policinë.

Grupi hetimor po verifikon gjithashtu edhe veprimtarinë e 65-vjeçarit pas daljes nga burgu, për konflikte të mundshme që mund të ketë pasur me persona të tjerë. Por deri më tani, nuk është zbuluar asnjë gjurmë që mund të çonte në zbardhjen e ngjarjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë