Mendim

Vrasja e 42 vjeçarit në Pogradec, kush po gënjen?

Nga Gazeta Si –Kryeministri Edi Rama mbylli me një deklaratë kapakun e ‘rrufeve’ në rrjetet sociale që kishin rënë mbi organet që varen prej qeverisë lidhur me mënyrën si është vepruar pas vdekjes së një qytetari nga Pogradeci, Egli Proga.

Rama tha me pak fjalë se Policia dhe Urgjenca nuk kishin faj, se kishin zbatuar detyrën dhe gishti, indirekt, duhej drejtuar gjetkë tek Prokuroria për ndryshimin e akuzës, nga ajo që kish referuar më herët Policia e Shtetit.

Ndërkohë, vetë ILD ka nisur verifikimin për prokurorin dhe gjyqtaren për rastin në fjalë   

Për të shkuar deri aty, vlen t’i hedhim një sy edhe njëherë deklaratave (atyre që janë bërë publike në media) për të kuptuar kakofoni qëndrimesh mbi ngjarjen dhe mënyrën se si secila palë po ‘shpëlan’ veten nga situata që nuk janë të parat, por që gjithësesi opinioni publik është i ndjeshëm, edhe pse ky fenomen (ai i ‘vrerit’) tek ne nuk zgjat më tepër se tre ditë. Ndaj dhe historitë përsëriten.           

Njoftimi i Policisë tre ditë më parë:

Në lagjen nr. 1 Pogradec, gjatë një konflikti për motive të dobëta shtetasi  D. M.,  29 vjeç, dyshohet se jashtë ambienteve të një lokali është konfliktuar fizikisht me shtetasin E. P., 42 vjeç, i cili gjatë konfliktit fizik  është rrëzuar në tokë pa ndjenja dhe për pasojë ka ndërruar jetë.

Shtetasi D. M., 29 vjeç, pas konflikt është larguar  nga vendi i ngjarjes por falë reagimit në kohë të Policisë u bë e mundur kapja dhe arrestimi i tij për veprën penale “Vrasja me dashje”.

Në vijim të veprimeve për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje, shërbimet e Seksioni për  Krimet  Kundër Personit në DVP Korçë në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec arrestuan në flagrancë shtetasit:

V. S.,  40 vjeç,  A. M.,  55 vjeç, dhe L. G., 47 vjeç, për veprat penale “Moskallzim krimi”, dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Këta shtetas kanë qenë të pranishëm kur ka ndodhur ngjarja dhe nuk kanë kallzuar krimin duke penguar zbardhjen e së vërtetës.

Pjesa nga dosja e zbardhur nga TCH mbi të dhënat e Oficerit të Policisë Gjyqësore:

“…Shtetasi Denis Meçe është kërkuar në rrugë, vende, e ambiente të cilat mund ti frekuentonte gjithashtu është telefonuar edhe në numrin e celularit 069*** i cili ka rezultuar i fikur, por nuk është bërë e mundur gjetja e tij. Vetëm në orën 03:30 ai është paraqitur në ambientet e Komisariatit të Policisë Pogradec i cili pasi është shoqëruar për në ambientet e DVP Korçë është pyetur si person ndaj të cilit zhvillohen hetime”

Dëshmia e Denis Meçes publikuar nga TCH  

“Unë kam dashur t’i fus një shpullë ta qetësoja por, sa i jam afruar kam ngritur dorën ai është rrëzuar në tokë dhe nuk u ngrit më. Mua nuk më është besuar hiç dhe pasi jam frikësuar nga situata jam larguar. Rrugës për në fshatin Buçimas kam ndaluar makinën time në krah të rrugës dhe kam fjetur pasi isha i dehur, kur më ka dalë gjumi mora në telefon avokatin duke i thënë se çfarë kishte ndodhur pasi kisha merak dhe ai më tha që personi i dëmtuar kishte ndërruar jetë, në këtë moment i kam thënë avokatit eja më merr dhe më shoqëro për në komisariat sepse dua të jap deklarimet time”

Skënder Brataj

Nga verifikimi që kemi kryer, rezulton se në orën 19:12 minuta ka ardhur thirrja e Policisë së Pogradecit drejt urgjencës, ku kërkohet ndërhyrje e shpejtë për një person që gjendet në rrugë, në rrethrrotullimin te Agjencia. Infermieri i vlerësimit ka kaluar të dhënat dhe misionin ekipit të Pogradecit dhe në 19:18 minuta ka mbërritur ambulanca në vendngjarje. Pas 2 minutash, pacienti është vendosur në autoambulancë, pra në 19:20, dhe është drejtuar drejt spitalit të Pogradecit. Përgjatë 11 minutave të rrugës nga vendngjarja në spital, pacienti është asistuar nga stafi mjekësor. I gjithë misioni ka qenë në total 20 minuta, duke nisur nga kërkesa për ndihmë”

E motra e viktimës së Egli Progës

“Më ka marrë djali tezes në telefon dhe më tha urgjent në spital. Vrapoj për atje, futem te urgjenca, shoh Eglin të shtrirë, të masakruar. Mjekët ishin duke i dhënë ndihmën e fundit, ne se pranonim dot që kishte ndodhur derisa mjekët thanë që ti hiqnin pajisjet. Në shok kam dalë jashtë, pyes policët çfarë ka ndodhur dhe më thonë është rrëzuar. Kanë folur për pjesën që është rrëzuar e deri që nuk e dimë, por jo të thoshin kemi lëshuar njerëz, po mbledhim prova, po marrim kamerat, po pyesim dëshmitarë. Policia ka lëvizur shumë vonë. Do të thotë që kanë qenë në lëvizje nga të tjerët për tu sjellë kështu. Akoma asnjë gjë, informacioni vetëm është marrë nga mediat. Mirë që si lexova që ka vdekur në gjendje të dehur nga rrëzimi, se nuk e di si do ta përballoja.

Dallohej qartazi që ishte dhunuar, por nuk thuhej nga askush që ishte i dhunuar. E kanë vrarë, e kanë masakruar në mes të rrugës në tufë, e kanë braktisur, e kanë lënë. Ambulanca nuk vinte, u vonua gjysmë ore që Pogradeci për 2 minuta arrin. Policia nuk pranonte të lëvizte trupin pa ardhur ambulanca, mund të ishte gjallë aty, mund ta shpëtonin”

Gjykata e Shkallës së Parë të Korçës:

Pasi ka vlerësuar kërkesën e prokurorisë dhe përmbajtjen e akteve të veprimeve hetimore të kryera
deri në këtë fazë të hetimit, gjykata ka vendosur pranimin e kërkesës, duke e vlerësuar atë si të bazuar
në ligj dhe në prova.

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë nënvizon se në këtë fazë të procesit penal, në shqyrtimin e kërkesave për caktimin e masave të sigurimit personal, gjyqtari i hetimeve paraprake nuk mund të bëjë ndryshimin e cilësimit juridik të veprës penale për të cilën procedohet personi nën hetim dhe as të caktojë një masë sigurimi më të rëndë se ajo e kërkuar.

Përcaktimi i plotë dhe saktë i rrethanave të faktit dhe përgjegjesisë penale të secilit person të përfshirë, i takon vijimit të hetimeve. Në përfundim të hetimeve, është gjyqtari i seancës paraprake i cili vlerëson plotësinë e tyre dhe cilësimin juridik të veprës penale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë