Gazeta Si – Ramazan Mataj, i ekzekutuar me breshëri kallashnikovi mbrëmjen e të shtunës në Dragoç të Shkodrës, dyshohet se është qëlluar vetëm nga një autor.
Nga hetimet paraprake, ka rezultuar se atentati ndaj tij është realizuar nga një person, i cili i ka zënë pritë 33-vjeçarit rreth 1 kilometër pranë banesës së tij.
I riu dyshohet se u nxor në pritë nëpërmjet rrjeteve sociale nga një profil me emrin e nje femre, ku besohet se kishin lënë një takim.
Gjithnjë sipas burimeve paraprake, dyshohet se autori ka qenë i fshehur buzë rrugës dhe aty ka qëlluar me breshëri kallashnikovi ndaj mjetit “Mercedes” me të cilin po udhëtonte Ramazan Mataj.
Sapo ka parë 33-vjeçarim t’i afrohet, autori ka hapur zjarr duke e qëlluar me 29 plumba drejt automjetit të tij. Ka qenë një banor i zonës, ai i cili më pas ka konstatuar viktiminën dhe ka lajmëruar policinë.
Mësohet se gjurmët e autorit janë ndjekur nga grupi hetimor përmes një qeni të policisë, i cili i ka çuar deri në një farë distance.
Zona ku ka ndodhur atentati nuk është e mbuluar me kamera sigurie, pasi vrasja ka ndodhur në një rrugë dytësore, në të cilën nuk gjenden banesa dhe as biznese.
Pista kryesore ku hetimet janë përqendruar, është ajo e konflikteve personale. Sipas burimeve në rrugë jo zyrtare, Mataj dyshohet se ka ngacmuar vajza në rrjetet sociale, histori për të cilat mund të kenë krijuar konflikte.
Sipas burimeve nga policia, vendi është zgjedhur qëllimisht pasi aty nuk ka kamera dhe banesat e tjera janë larg në mënyrë që të mos dëgjoheshin të shtënat.
Aparati celular i të riut është dërguar në laborator për t’u hapur dhe kjo është shpresa kryesore e hetuesve për të shkuar drejt një identifikimi të autorit apo autorëve të dyshuar.
Të gjithë familjarët janë marrë në pyetje dhe asnjë çështje me interes për hetimin nuk kanë dhënë.
Ramazan Mataj nuk kishte precedent penale në vendin tonë. Ai ka jetuar më parë në Belgjikë nga ku është kthyer para një viti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.