Sociale

Vrasja e 14-vjeçarit në Tiranë, ekspertët: Gjuha që indukton dhunë e politikanëve, modeli që po infekton qytetarët

Nga Gazeta 'SI' - ‘Hëngshin kokat e njëri-tjetrit’, ky është fjalori që dëgjon rëndom në foltoren e kuvendit nga politikanët tanë të cilët i kanë vënë flakën institucionit që miraton ligjet kundër dhunës, jo vetëm në kuptimin figurativ’

Ngjarja e rëndë në shkollën 9-vjeçare ‘Fan Noli’ në Tiranë që ka tronditur opinionin publik, për sociologun Gëzim Tushi, përveç përgjegjësisë direkte të institucioneve edukuese si familja e shkolla, lidhet drejtpërdrejt dhe tërthorazi dhe me modelet që përcjell klasa politike me sjelljet e saj të dhunshme në sallën e kuvendit të Shqipërisë.

Sipas Tushit, retorika e mbushur me fjalor të rëndë, gjuhë fyese dhe etiketime denigruese, duke përfunduar deri në konfrontime fizike, sjellje që vitet e fundit janë bërë të zakonshme mes deputetëve, ka ndikuar keq në sjelljen e fëmijëve dhe adoleshentëve.

‘Këto sjellje sjellin për pasojë influencime joedukative, fjalor banal, nxitës për neurotizmin social të shoqërisë, këto janë eksperimente sociale që po i injorojnë mekanizmat e zgjidhjes së konfliktit’, thotë sociologu Gëzim Tushi.

Ndërsa profesor Namir Lapardhaja, e sheh narrativën e dhunshme që përcillet përmes ekranit, si stimulim për dhunë në shoqëri.

‘Kryeministër që thotë për ata që vriten "hënkshin kokat e njëri-tjetrin" e dhe nuk mban kurrfarë përgjegjësie, ish-kryeministër që nëpërmjet retorikës së tij emeton dhunë verbale, që mund të degjenerojë në konflikt fizikë dhe civil nga momenti në moment. Është një shoqëri e tërë e trysnuar nga dhuna. Fëmijë dhe adoleshentë që rriten në këtë kontekst social. Është fatkeqësi që shoqëria nuk po gjen modele të paqta, optimiste dhe që promovojnë bashkëjetesën e paqtë, pavarësisht ideve dhe mendimeve. Politika ka një rol vendimtar në këtë kontekst të trishtë, ndërsa familja është viktimë që nga dita në ditë po degradon, si pasojë e së cilës kemi një brez problematik dhe të dhunshëm’, thotë pedagogu Namir Lapardhaja.

Sipas tij, një shoqëri e dështuar në të gjithë hallkat e saj, është rezultat i dështimit dhe krizës së thellë që po kalon familja shqiptare.

‘Ky dështim i tërësishëm nuk mund të kuptohet pa një shkollë dhe politikë arsimore, e cila e ka shndërruar totalisht fokusin e arsimit, duke e keqorientuar dhe duke e larguar nga misioni i saj. Fatkeqësisht shkollat nga institucione edukimi po shfaqen përditë dhe më shumë sikur të ishin vatra riedukimi. Ngjarjet e fundit, janë kambana alarami për familjen shqiptare’, thotë Lapardhaja.

Ndërsa psikologia Eksena Qirici thotë se të gjitha ambientet që e shoqërojnë fëmijën gjatë rritjes përbëjnë kuptimin e personalitetit që ai formon.

‘Imazhi i personaliteteve të dhunshme nuk zhbëhet duke dhunuar edhe më shumë, duke ndëshkuar edhe më shumë, duke e shtuar gjuhën e urrejtjes dhe inatit edhe më shumë, duke shtuar dozën e agresivitetit, duke marr hak, duke përdorur armë të çdo lloj forme.

Çdo ngjarje që prodhon emocione të ndryshme tek fëmija, ka rëndësi në formën që merr personaliteti i tyre dhe për këtë vëmendja për të kuptuar dhe ndihmuar fëmijën, dominon si alternativë për të parandaluar devijime nga rregullat njerëzore.

Neglizhenca emocionale, që mbështetet në arsyetimin se ”çdo gjë kalon vet” është dhuna më e madhe psikologjike që po i bëhet shoqërisë tonë njerëzore’, thotë Qirici.

Sociologu Gëzim Tushi shton ndër të tjera se vrasja e 14-vjeçarit në shkollë tregoi se 'demokratizimi' i dhunës është kancer social.

‘Përkeqësimi i jetës, neurotizmi social ka si shkaqe faktorët social që lidhen me shoqërinë e median dhe faktorët ekstrasocialë që sjell struktura e jetës politike.’, thotë Tushi.

Sipas tij, sjellja e atyre që janë në bordin e shoqërisë ka impact në krijimin e modeleve që infektojnë qytetarët, përfshi dhe fëmijët.

‘Ideja e të fortit që vetëm me forcë arrin sfidat, po ushqen kriminalitetin dhe politika ka mëkatet e veta.

Dhe pse ata përpiqen tja hedhin fajin e kësaj klime, institucioneve të tjera si familja e shkolla, të cilat kanë peshën e tyre në këtë situatë sepse kane te bejne me institucionet e formimit dhe edukimit’, thotë sociologu Tushi.

Në analizën e tij, sociologu i njohur thotë se faktorët kryesorë në parandalimin dhe luftën ndaj krimit janë institucionet përgjegjëse, familja, shkolla e shoqëria dhe qytetarët që duke shmangur indiferencën, do të kontribuojnë për krijimin e një strukture të përbashkët’, përfundon sociologu Tushi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë