Gazeta Si – Dan Hutra, i akuzuar për vrasjen e tre grave dhe plagosjen e tre të tjerave, është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Tiranës.
Prokuroria kërkoi më 9 maj që gjykata të japë tre burgime të përjetshme për vrasjen e tre grave, të cilave ai u mori jetën brenda rreth 30 minutash.
Siç u shpreh prokurori, Dan Hutra duhet të shpallet fajtor dhe të marrë burgim të përjetshëm për vrasjen e Mevlute Sadikut, një dënim të dytë të përjetshëm për vrasjen e Hadime Dafkut dhe të tretin për vrasjen e Etleva Kurtit, e cila ishte motra e një tjetër të burgosuri, identifikuar si Vladimir Kurti.
Prokurori kërkoi më parë se Hutra duhet të dënohet edhe për plagosjen e Elena Hysës dhe për këtë t’i jepen 35 vite burgim – ish-bashkëjetueses, të cilës i vrau të motrën dhe kunatën.
Edhe për plagosjen e nënës së saj, Kujtime Hysa, prokurori kërkoi 35 vite të tjera burgim, ndërsa 30 vjet dënim u kërkuan edhe për plagosjen e Marjona Gurakuqit.
Masakra e Dan Hutrës ndodhi në 1 mars 2023. Rreth orës 12:15, në rrugën “Teodor Keko”, Hutra plagosi në zonën e Astirit me thikë 40-vjeçaren, Marjana Gurakuqi, me të cilën kishte njohje të mëparshme.
Rreth orës 12:35, në banesën e ish-bashkëjetueses së tij në Kodër-Kamëz, Elena Hysa, Hutra vrau me armë zjarri Mevlute Hysa (30 vjeçe), motra e Elenës, dhe Hasime Dafku (30 vjeçe), e fejuara e vëllait të Elenës. Gjithashtu, plagosi rëndë Elenën (35 vjeçe) dhe nënën e saj, Kujtime Hysa (60 vjeçe).
Më pas, rreth orës 12:48, në oborrin e banesës së saj në Kamëz, Hutra vrau me armë zjarri Etleva Kurtin (31 vjeçe), motra e Vladimir Kurtit, me të cilin Hutra kishte pasur konflikte në burg.
Pas këtyre ngjarjeve, policia organizoi një operacion të gjerë dhe arrestoi Hutrën rreth orës 18:45 në zonën e Sharrës, së bashku me armën e krimit.
Në dëshminë e tij, Hutra pranoi krimet, duke deklaruar se i kishte planifikuar me vetëdije dhe se nuk i interesonte sa do të dënohej. Ai shprehu pendesë vetëm për vrasjen e Hasime Dafkut, e cila ishte shtatzënë.
Ai ishte dënuar edhe për një ngjarje të vitit 2007, konkretisht të vrasjes së bashkëshortes së tij asokohe, ngjarje kjo e ndodhur në qytetin e Kukësit.
Ai doli nga burgu në shkurt 2023, pasi ishte dënuar për dhunë në familje, dhe iu desh vetëm një muaj kohë për të përgatitur masakrën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.