Gazeta Si - Mungesën e një prej anëtareve të trupit gjykues për shkak se ishte e sëmurë, Dan Hutra e shfrytëzoi për të debatuar me gazetarët e pranishëm në sallë.
Autori i vrasjes së 3 grave dhe plagosjes së 3 të tjerave, ka replikuar me mediat në prag të nisjes së seancës së tij të parë gjyqësore në Gjykatën e Tiranës.
Teksa është shprehur se për të janë thënë shumë të pavërteta dhe kërkoi që të lejohet drejtësia të bëjë punën e saj, Dan Hutra me nota kërcënuese iu drejtua gazetarët duke iu thënë “do vijë dhe momenti juaj”
“Të përdorësh mikrofonin është gjë e lehtë, të zbërthesh të vërtetën është gjë e rëndë. Nuk mund ta them nga xhami të vërtetën, do kemi kohë dhe do të flasim. Nuk keni me çfarë te merreni tani? Do merreni me mua. Do të vijë momenti dhe do t’i them. Lëreni drejtësinë të bëjë punën e vet. Mos u merrni me mua. Nuk kam dëshmuar në SPAK as kam përse të dëshmoj. Do të zbërthehen të gjitha. Do vijë dhe momenti juaj”, tha Hutra.
Për shkak të mosformimit të trupit gjykues seanca u shty për në 10 tetor. Nga kafazi i sallës së gjyqit, Hutra kundërshtoi avokatin kryesisht të caktuar nga gjykata, duke pohuar se nuk ishte dakord të mbrohej prej tij.
Hutra u arrestua më 1 mars të vitit të kaluar, pasi kreu masakrën e trefishtë në kryeqytet. Ai ekzekutoi 3 gra dhe plagosi 3 të tjera në zona të ndryshme të Tiranës.
40-vjeçari nuk ishte një emër i panjohur për policinë. Përpara masakrës së 1 marsit, ku mes viktimave ishte dhe ish bashkëjetuesja e tij, ai ishte dënuar për një ngjarje të vitit 2007. Konkretisht të vrasjes së bashkëshortes së tij, ngjarje kjo e ndodhur në qytetin e Kukësit. Për të gjitha këto ngjarje vetë Hutra nuk ka shfaqur pendesë, madje ka deklaruar se i ka bërë me vetëdije.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.