Gazeta Si – Një 50-vjeçar shqiptar i dyshuar si vrasës i dyfishtë po përballet me ekstradimin nga Britania për herë të dytë, pasi hyri fshehurazi në Mbretërinë e Bashkuar dy herë, duke marrë nënshtetësinë me emër të rremë.
Gazeta britanike “Daily Mail”, shkruan se Ilirjan Zeqaj mori leje qëndrimi dhe madje hapi edhe biznes në Londër, edhe pse akuzohej për vrasjen e dy vëllezërve në fshatin Cakran në vitin 1999. Pas arrestimit në shkurt të këtij viti, ai pritet të ekstradohet në Shqipëri.
Zeqaj dyshohet për vrasjen e dy personave, por hyri në Angli i fshehur në një kamion pesë muaj më vonë dhe kërkoi azil me emrin Klemend Zeqaj, me dokumente të rreme si refugjat kosovar.
Edhe pse ishte një nga të arratisurit më të kërkuar në Shqipëri, atij iu dha leja e përhershme për të qëndruar në vitin 2005 dhe shtetësia britanike një vit më vonë.
Por Zeqaj u dënua në mungesë në Shqipëri me 23 vjet burg për vrasje në vitin 2002.
Ai ka tre fëmijë, përfshirë një vajzë që ndjek Universitetin e Kembrixhit. Pasi u gjurmua nga policia britanike në vitin 2011 dhe u ekstradua në Shqipëri dy vjet më vonë për t’u përballur me rigjykimin, ai u lirua nga akuzat për vrasje.
Pas lirimit në Shqpëri, ai u kthye menjëherë në Britani, por Gjykata e Lartë e Shqipërisë më vonë zbuloi se gjyqi ishte i korruptuar dhe vendimet e pafajësisë nuk ishin të sakta.
Pavarësisht kësaj Zeqaj, jeton në veri-perëndim të Londrës, ku ka drejtuar një kompani për pajisje tualeti.
Babai i tre fëmijëve tashmë rrezikon rikthimin në Shqipëri për t’u përballur edhe njëherë tjetër në gjykatë me akuzat për vrasjen e Gramoz dhe Shkëlqim Llanajt , ngjarje e ndodhur në shtator 1999.
Gjykata e Lartë Shqiptare rishikoi gjyqin e Zeqajt në 2017 dhe konstatoi se ligji nuk ishte zbatuar si duhet dhe lirimi i tij ishte i gabuar.
Shqiptari u paraqit në Gjykatën e Ëestminsterit më 10 tetor, ndërsa seanca e radhës është planifikuar më 30 janar.
Zeqaj, i ka mohuar akuzat për vrasjet në Shqipëri, ndërkohë që një zëdhënës i Home Office tha se ai ishte ekstraduar më parë në Shqipëri dhe ishte shpallur i pafajshëm, por pas një kërkese tjetër për ekstradim nga autoritetet shqiptare, ai u arrestua më 27 shkurt 2022 në Britani.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.