Trend

Vrap, joga, kardio…/ Bota e çuditshme e trajnimit të të famshmëve

Të jesh një yll pop-i kërkon trajnim rigoroz, përveç talentit.

Siç kujtoi Taylor Swift javën e kaluar, për turneun “Eras”, çdo ditë vraponte duke kënduar me zë të lartë të gjitha këngët që do ishin pjesë e turneut.

“Ecja ngadalë kur këndoja këngët e shpejta dhe vrapoja kur këndoja balada. Pastaj bëra tre muaj kurse kërcimi, sepse doja ta fusja në kocka performancën e çdo kënge”, tha ajo për Times.

Nëse e keni parë Eras live, do ta kuptoni pse duhej gjithë kjo punë. Pothuajse tre orë ndryshime të kostumeve, kërcime të fuqishme dhe sprinte nga një skaj i skenës në tjetrin, të gjitha duke kënduar. Ndërsa Swift këndon, vetë fansat fillojnë të ndjehen të lodhur. Renaissance i Beyonce gjithashtu dokumenton punën fizike të nevojshme për një turne, ndërsa turneu aktual i Madonna-s 65-vjeçare, i cili do të përfundojë prillin e ardhshëm pas 78 shfaqjesh, e bën të qartë se sa mund të zgjasë ky angazhim.

“Ne i trajtojmë ata si atletë”, thotë Dan Roberts, trajner personal, i angazhuar në atë që ai e quan "bota e çuditshme e stërvitjes së të famshmëve".

Ndonjëherë, Roberts i duhet të shkojë në turnet e artistëve sepse ato kanë nevojë për stërvitje edhe në pushimet disa minutëshe mbrapa skenës.

Në mënyrë tipike, përgatitja fizike për një turne fillon tre muaj përpara, thotë Roberts. Shumica e artistëve i njohin mirë përgatitjet dhe shpesh kanë edhe lëndime të vjetra.

“Askush nuk thotë: Trupi im është i mrekullueshëm”, thotë Roberts.

Një tjetër trajner personal, Jono Castano, thotë se shumë prej artistëve e dinë se çfarë duhet të bëjnë: çfarë të hanë, si të stërviten.

Puna "pararehabilituese", që nënkupton ndërtimin e fleksibilitetit dhe forcës së gjithanshme, është jetike për parandalimin e lëndimeve kur kërcejnë.

Roberts kujton një artiste e cila kishte nivele shumë të ulëta të yndyrnave në trup dhe nuk mundej të ushtronte çdo ditë.

“Ajo nuk kishte menstruacione, gjë që është gjithmonë një shenjë paralajmëruese e problemeve. E dija se turneu do të ishte i vështirë për të, sepse ajo nuk hante aq shumë kur ishte e stresuar.”

Qëllimi, në atë rast, ishte të rriste yndyrën në trup dhe që artistja ta ruante atë gjatë gjithë turneut.

Rita Ora, kliente e Castanos, shpesh shkonte në seanca duke u ndjerë e lodhur, “gjë që është e kuptueshme”, thotë ai.

“Por duke parë përfitimet e asaj që bën një seancë stërvitore, duke çliruar endorfinë, ajo në fund të seancës ndjehej shumë më mirë dhe më pozitive.”

Për disa të famshëm, stërvitja është madje "një lloj arratisjeje".

Trajnerët tregojnë se stërvitja e artistëve është si një kompani më vete.

Ekipi i Swift, për shembull, mund të përbëhet nga deri në 40 punonjës me kohë të plotë, me dhjetëra të tjerë që punojnë me kohë të pjesshme.

Ndonjëherë, pjesa më sfiduese e punës së trajnerit është të bindë artistin se ka nevojë për një trajner.

Yjet në nivelin e Mick Jagger dhe Madonna-s, të cilët i kanë dhënë jetën e tyre performancës, nuk pranonin se kishin nevojë për stërvitje sepse besonin tek talenti i tyre.

Ndërkohë, ditët e pushimit futen në program për të mbrojtur energjinë dhe mirëqenien e artistit.

Roberts vlerëson se artistët mund të djegin rreth 1 mijë kalori në një shfaqje të vetme.

Për të, një shfaqje tre orëshe mund të jetë si të vraposh 5 km.

Pink, e njohur për akrobacitë ajrore në shfaqjet e saj, bën një orë kardio dhe një orë joga përpara se të dalë në skenë.

“Ndonjëherë ndihem më shumë si sportiste sesa këngëtare”, ka thënë ajo.

Roberts thotë se artistët rrallë festojnë pas shfaqjes. Ato pinë çajin e tyre me mjaltë dhe shkojnë në shtrat herët, për të pushuar.

“Kush e sheh se cfarë kalojnë artistët dhe është e jashtëzakonshme”, thotë Niamh McCarthy, themeluesi i Mindful Nation, një aplikacion meditimi i krijuar për artistë.

McCarthy kaloi katër vjet në rrugë me U2 si ndihmës menaxherja e tyre, ndërsa po ashtu udhëtonte për të mbështetur Madonën. Duke qenë në brendësi, ajo nuk është e befasuar kur sheh yje të rinj, përfshirë Justin Bieber dhe Shawn Mendes, duke anuluar koncerte për t'u fokusuar në mirëqenien e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë