Moti

Vranësira dhe reshje shiu, borë në Veri. Pezullohet lundrimi në Vlorë

Kushte atmosferike të paqëndrueshme do ta karakterizojnë motin mbi vendin tonë, këtë të premte. Në pjesën e parë të ditës, moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura si dhe intervale afatshkurtra me diell përgjatë ultësirës perëndimore. Ndërsa në zonat veriore raportohet se kanë nisur edhe reshje të lehta dëbore.

Vranësirat do të shoqërohen me reshje shiu të herëpashershme dhe intensitet të ulët në pjesën më të madhe të territorit. Në periudha afatshkurtra dhe në mënyrë lokale reshjet në formën e shtrëngatave ndërsa në zonën e veriperëndimit reshjet me intensitet mesatar dhe lokalisht deri të lartë.

Ndërkohë Kapiteneria e Portit, ka njoftuar se, në bazë të parashikimit për situatën hidrometeorologjike detare të përkeqësuar, brenda dhe jashtë Gjirit të Vlorës, gjatë datave 02–07.01.2026, duke filluar nga ora 06:00 e datës 02.01.2026, me drejtim ere Jug–Jugperëndim, forcë deri 5–6 Bft, shpejtësi ere deri në 10–15 m/s dhe lartësi dallge nga 1.00 deri në 1.50 metra, është pezullluar lundrimi i mjeteve të vogla brenda Gjirit të Vlorës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë