Policia malazeze ka vënë në pranga një familje shqiptare nga Malësia e Madhe (qyteti i Koplikut), nënën 67-vjeçare dhe dy djemtë e saj, pas vrasjes së efektivit të policisë nga Mali i Zi.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në qytetin Igalo në Mal të Zi. Dy policë malazezë i kanë ndaluar tre shqiptarët nga Malësia e Madhe, pasi ishin pa dokumente.
Dy djemtë Luan dhe Lulëzim Hasanaj bashkë me nënën e tyre Nure Hasanaj, janë marrë me makinë policie për t’i çuar në komisariat.
Siç shkruajnë mediat malazeze, shqiptarët ishin ulur në sediljet e pasme të makinës dhe kishin shkëmbyer disa fjalë në shqip me njëri-tjetrin dhe më pas Luani kishte nxjerrë armën, duke qëlluar në kokë policin malazez, Milutin Lekoviç.
Më pas, efektivi malazez ka ndërruar jetë në spitalin e Risanit.
Menjëherë pas kësaj, ata janë arratisur, duke tentuar të kalojnë në Kroaci, por janë kapur pas një shkëmbimi zjarri me policinë malazeze.

Siç shihen dhe nga fotot e tyre, shqiptarët janë të gjakosur pas shkëmbimit të zjarrit. Pamjet e publikuara nga mediat e huaja tregojnë momentin e dërgimit të shqiptarëve në Prokurori, mes tyre edhe nëna e tyre 67-vjeçare.


Gjatë shkëmbimit të zjarrit, ka mbetur i plagosur në dorë edhe Luan Hasanaj, autori i vrasjes së policit.
Luan Hasanaj kërkohej nga autoritetet shqiptare për tentativë vrasje në bashkëpunim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




