Gazeta Si- Gjykata e Apelit vendosi këtë te martë të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për Altin Kukën, për dy djemtë e tij, Ervis dhe Emaurisio Kuka dhe për bashkëpunetorin Tomor Zykën, pasi akuzohen për vrasjen e dy vëllezërve në Roskovec, Lavdrim dhe Gramoz Kurtaj, 52 dhe 46 vjeç.
Të pandehurit kishin ankimuar masën e sigurisë të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë në Fier, por në Apel, trupa e gjykimit la në fuqi vendimin e datës 13 shtator.
Pikërisht kjo masë sigurie ka sjellë në Tiranë dhjetëra familjarë të dy viktimave Kurtaj. Familjarët me fotografitë e viktimave në duar janë vendosur në dyert e gjykatës për të ndjekur procesin dhe duke kërkuar drejtësi.
"Duam drejtësi deri në fund, të zbatohet ligji, ndryshe do të ketë vetëgjyqësi", - janë shprehur familjarët e viktimave Gramoz dhe Lavdrim Kurtaj.
Pas krimit Kukaj u vetëdorëzua, kurse fëmijët u ndaluan një ditë më pas (11 shtator), pas kërkimeve të policisë dhe kontrolleve, në një banesë në fshatin Cukalat, ku dhe fshiheshin.
Nën akuzë për ngjarjen janë babai 76-vjeçar i autorit të dyshuar, që iu gjetën 3 armë dhe municione pa leje në banesë pas kontrollit dhe një 75-vjeçar që dyshohet se ka ndihmuar dhe përkrahur autorët.
Altin Kuka, 49 vjeç, dyshohet se pas përplasjes së djemve të familjeve me lidhje miqësie, ka marrë armët dhe bashkë me dy fëmijët e tij, Ervis Kuka, 21 vjeç dhe Emaurisio Kuka, 18 vjeç, po të ndaluar, kanë vrarë vëllezërit Gramoz dhe Lavdimir Kurtaj në lokalin e tyre në Roskovec.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.