Gazeta Si - Prokuroria e Elbasanit ka kërkuar dënim maksimal për 4 adoleshentët e akuzuar për vrasjen e 15-vjeçarit Fatjon Bici, ngjarje e ndodhur një vit më parë në Gramsh.
Gjatë dhënies së pretencës, organi i akuzës ka kërkuar maksimumin e dënimit që parashikon Kodi i Penal për të miturit.
Kështu, për Orgito Çarçiun, i dyshuar si autori i vrasjes, prokuroria ka kërkuar dënimin me 12 vjet heqje lirie, ndërsa për bashkëpunëtorët e tij u kërkua 8 deri në 10 vite burg.
Më herët, gjykata ka pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar, që do të thotë se 4 adoleshentët do të përfitojnë nga ulja e dënimit me 1/3.
I mituri, Bici u godit me thikë gjatë një konflikti me 4 persona të moshave 14 deri në 16 vjeç. Pasi doli nga mësimi, ai pa në një rrugicë kushëririn e tij 15-vjeçar Marko Bici që po konfliktohej me 4 bashkëmoshatarë dhe ndërhyri për ta mbrojtur.
Sipas dëshmive në vendin e ngjarjes, vetëm dy kushërinjtë ishin nxënës të shkollës “Asllan Shahini”, katër fëmijët e tjerë ishin banues në fshatin Cërunjë.
Pas konflikteve të rrjetet sociale ata kanë udhëtuar drejt dhe i kanë pritur dy kushërinjtë derisa kanë mbaruar mësimin, për tu zënë pritë pak më tutje, në mënyrë që të mos dukeshin nga shkolla.
Pas arrestimit nga policia, 4 të rinjtë pranuan se viktima nuk kishte pasur lidhje me konfliktin, por ndërhyri për të mbrojtur kushëririn.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.