Bota

Von der Leyen takon Vuçiç, presidenti serb: Nuk është e lehtë të jesh në këpucët tona për shkak të Kosovës

Nga Gazeta 'Si'- Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen gjatë vizitës së saj në Beograd u shpreh se ishte e bindur se Serbia do të bënte përparim të mëtejshëm drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, gjatë mandatit të saj të ardhshëm.

Von der Leyen tha se integrimi ekonomik i Serbisë me bllokun tashmë është duke ecur përpara me Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe përmendi sundimin e ligjit, sistemin gjyqësor dhe përafrimin me politikat e tjera të BE-së, si fusha ku diskutimet ishin në vazhdim.

“Siç e shihni me Planin e Rritjes ne tashmë hapim pjesërisht derën për integrimin ekonomik, por të gjithë diskutimin që kemi për sundimin e ligjit, sistemin gjyqësor, politikat e jashtme për shembull, është një proces për t'u përafruar me Bashkimin Evropian, dhe kur të arrihet qëllimi, atëherë është hapi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe për këtë arsye, është vendimi i vendit kandidat që përcakton shpejtësinë e integrimit në BE”, tha presidentja e KE.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se e ardhmja e vendit të tij është në Bashkimin Evropian, një synim që sipas tij nuk ka ndryshuar nëpër vite.

“I fitova zgjedhjet dy herë duke u thënë njerëzve se jemi në rrugën evropiane dhe duke u thënë njerëzve se jemi në marrëdhënie të mira me të tjerët… Nuk është e lehtë të jesh në këpucët tona për shkak të Kosovës dhe gjithçkaje tjetër, por ne do të bëjmë çmos për të përshpejtuar rrugën evropiane”, tha ai.

Serbia duhet të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën para se të mund të anëtarësohet në BE.

Pas vizitës në Serbi, Von der Leyen do të vizitojë Prishtinën dhe do të takohet me liderët e Kosovës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë