Nga Gazeta ‘Si’ – Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen i ka bërë thirrje Serbisë gjatë një vizite në Beograd që të zbatojë marrëveshjet e arritura deri tani mes saj dhe Kosovës.
Ajo ka shpjeguar se njohja de-facto e Kosovës nënkupton implementimin e Aneksit të dakorduar në Ohër në mars të këtij viti.
“Bëhet fjalë, për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, që parashikon hapa të ndryshëm, përfshirë pranimin e dokumentave dhe institucioneve të Kosovës nga Serbia, dhe shkon krahas themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilin duhet ta zbatojë Kosova”, ka thënë Von der Leyen në një konferencë për media të përbashkët me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, duke iu përgjigjur pyetjes se çfarë nënkupton me njohjen de-facto të Kosovës, që e ka përmendur në Prishtinë një ditë më parë dhe që po e kërkojnë liderët europianë.
Von der Leyen ka theksuar se një gjë e tillë do t’i hapte rrugë normalizimit të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, për të cilën ka theksuar, se është parakusht i domosdoshëm për rrugën europiane.
Në anën tjetër, Vuçiç ka thënë se “njohja e pavarësisë së Kosovës nuk është çështje për Serbinë” dhe se nuk i vjen turp ta përsërisë edhe para presidentes së Komisionit Europian.
“E dimë cilat janë obligimet tona nga dialogu dhe jemi të gatshëm t’i përmbushim”, ka thënë Vuçiç.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.