Ish-kryeministri Sali Berisha nuk është shfaqur më në selinë e Partisë Demokratike qysh prej të hënës por të mërkurën në mesditë ia behi kryetarja në detyrë e LDGSH, Albana Vokshi dhe aktivistja që shoqëron Berishën në çdo takim, Evi Kokalari për të zhvilluar mbledhje me anëtaret e Forumit.
Vokshi tha se brava e derës së zyrës së saj ishte ndërruar dhe për pasojë njoftoi se mbledhja me disa gra të Forumit do të mbahej në katin e dytë të godinës së selisë blu.
“Informoj deputetin Lulzim Basha se 4446 delegatë të Kuvendit e kanë shkarkuar unanimisht në 11 Dhjetor ai nuk është më kryetar i PD, dua ta informoj se kjo godinë e seli i takon të gjithë demokratëve nuk mund të sillet sikur është në pronë të tij.
Ne nuk do ndalemi, asgjë se pengon dot vullnetin e sovranit. E ftoj Lulzim Bashën të largohet një orë e më parë mos e zgjasë më agoninë e tij politike”, tha Vokshi.
Më pas në oborrin e selisë blu ka pasur edhe një incident mes grash simpatizante të PD-së.
Rreth situatës së krijuar ka reaguar edhe zëdhënësja e PD-së, Ina Zhupa.
“Në ditën kur duhet ngritur zëri dhe reagimi për skandalin e inceneratorëve, Sali Berisha dhe Albana Vokshi gjejnë kohën të merren me hallet personale duke larguar vëmendjen nga skandali i korrupsionit disa milion eurosh.
Le të pyesin veten pse nuk flasin për këtë skandal?
Pse përpiqen të largojnë vëmendjen nga përfshirja e zyrtarëve më të lartë të qeverisë?!
Pse nuk i shqetëson ky fakt?!”, shkruan Zhupa.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.