Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka denoncuar daljen e pyetjeve të provimit të Vlerësuesve të Arsimit Para universitar që do të zhvillohet sot në orën 14.00 në Tiranë në shkollën Sabaudin Gabrani.
Vokshi publikon një mesazh që ka marrë nga një mësuese e cila është pjesë e provimit.
“Dalin pyetjet me porosi të Ministres Evis Kushi, që të certifikohen të njohurit e Ministres dhe militantet e partisë. Ky është “vetëreformimi” në arsim për të cilin foli Kryeministri Rama, dje në Asamblenë e PS”, ka shkruar Vokshi.

Ndërkaq, nga ana tjetër Ministrja e Arsimit dhe Sportit ka reaguar ndaj akuzave të deputetes Vokshi.
“Sfidoj deputeten Albana Vokshi që të provojë akuzat e saj në lidhje me ndërhyrjen time apo të stafit tim në procese testimi dhe vlerësimi të mësuesve. Unë që sot largohem nga detyra nëse ajo i provon akuzat, por, në të kundërt, deputetja do të mbajë përgjegjësi morale dhe ligjore për shpifje”, thotë Kushi.
Sipas Kushit, “është turp dhe e pafalshme që, për qëllime politike, të shpërdorohet besimi i qytetarëve nga karrigia e deputetit, duke sajuar akuza që cënojnë besueshmërinë dhe nxitin pasiguri te mësuesit dhe nxënësit për proceset vlerësuese në sistemin arsimor”.
Provimi i vlerësuesit të institucioneve arsimore parauniversitare është hartuar nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar. Ky provim teston mësuesit të cilët aplikojnë për statusin e vlerësusit/inspektuesit në shkolla dhe proces arsimor.
Nuk dihet se sa mësues do të testohen sot në Tiranë, pasi Ministria nuk ka dhënë informacion.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.