Lajme

Vlorë, Kryemadhi fton socialistët: Bashkohuni me LSI

Monika Kryemadhi ka përsëritur edhe një herë ftesën për të gjithë socialistët e ndershëm që të bashkohen me LSI.

Gjatë një takimi me strukturat e partisë në Vlorë, kryetarja e LSI-së tha se ata ndihen më të shfrytëzuar, ndaj janë të gatshëm të rrëzojnë qeverinë.

“Përveçse ka rënë qeveria e Surrelit, njerëzit që ndihen më të frustruar, më të nervozuar dhe më të inatosur janë socialistët e ndershëm. Janë socialistët e ndershëm, sepse janë ata që ndihen të përdorur dhe të shfrytëzuar. Janë socialistët e ndershëm që e kanë të domosdoshme riorganizimin e PS. Por ata nuk mund të presin riorganizimin nga një sekt kriminal, por ata janë të gatshëm për të vepruar dhe veprimi i tyre është për të rrëzuar këtë qeverisje, që nuk është gjë tjetër veçse një strukturë kriminale që mundohet të mbulojë me parfum erën e keqe”.

Kryemadhi deklaroi se çdo anëtar i PS-së i ka dyert e hapura në Lëvizjen Socialiste për Integrim: “Prandaj ju bëj thirrje sot që detyra e LSI në Vlorë, nuk është thjesht për të organizuar strukturat e saj në të gjithë Bashkinë e Vlorës por për të hapur dyert dhe për tu bërë mikëpritës të gjithë atyre socialistëve të ndershëm, të cilët nuk e gjejnë më veten pranë këtij sekti kriminal, – shpjegoi Kryemadhi. -Të jeni të bindur që pas ngjarjeve të djeshme, mbas asamblesë së djeshme do të ketë një dyndje të socialistëve drejt LSI. Sepse vetë LSI është e themeluar nga ata socialistë të cilët nuk pranuan arrogancën e qeverisjes socialiste në 2004 dhe themeluan një parti të majtë që kishte në thelb të saj solidaritetin dhe social demokracinë, që kishte në thelb të saj, dhënien e dorës ndaj mikut, suportimin dhe mbrojtjen ndaj të varfërve dhe rritjen e ekonomisë shqiptare sidomos për shtresën e mesme sepse e dimë të gjithë që Shqipëria nuk ka të pasur në gjirin e saj”.

Kryemadhi akuzoi sërish kryeministrinn Rama, pasi sipas saj ka varfëruar të gjithë shqiptarët, duke detyruar largimin e tyre jashtë vendit në emigracion.

“E krijoi vetë atë humnerë sepse u tregua tamaqar, tregoi që është i pangopur dhe tregoi që shpirti i tij është shumë i varfër dhe sado që të mundohet dhe sado pushtet që të ketë. Nuk e pasuron dot shpirtin e tij. Por kjo nuk do të thotë që ai mund të ketë shansin dhe mundësinë që të varfërojë shqiptarët. Po i varfëron shqiptarët ekonomikisht, por nuk mund t’i varfërojë dot ata shpirtërisht. Prandaj dhe ne sot në Vlorë duam që ai Komitet Organizator që ne kemi ngritur në strukturat e LSI së Vlorës, të fillojë dhe ta marrë me seriozitet punën e tij”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë