Nga Gazeta Si- Një punonjës policie në pikën kufitare Qafë-Botë është arrestuar ditën e sotme nga Agjencia e Mbikëqyrjes policore pasi dyshohet për kontrabandë me mallra që paguhet akcizë.
Efektivi i identifikuar me inicialet B.H. u arrestua në flagrancë teksa transportonte me automjetin e tij “Mercedes Benz”, nga pika e kalimit kufitar Qafë Botë në drejtim të Sarandës, 49 steka të papajisura me pullën fiskale, të dyshuara kontrabandë, me një vlerë rreth 3500 euro.
Nga kontrolli i një dyqani në pronësi të policit u gjetën edhe disa qese me duhan pa pullë fiskale.
Nga hetimet e AMP, ka rezultuar se ky punonjës policie në mënyrë periodike, gjatë kohës që ka qenë me shërbim në PKK Qafë Botë, kalonte këto mallra kontrabandë për të furnizuar biznese të ndryshme në Sarandë, në një vlerë që përllogaritet të jetë rreth 10,000 euro në muaj nga shit-blerja e mallrave.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan stekat me cigare kontrabandë, qese plasmasi me duhan pa pullë fiskale, 2 telefona celularë dhe automjeti tip Mercedez Benz që shërbente për transport.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




