Qeveria ka miratuar dy vendime lidhur me mbarëvajtjen dhe transparencën e zgjedhjeve lokale.
Në mbledhjen e sotme ( e premte) të qeverisë është marrë vendimi për ngritjen e një Task Force, e cila ka si synim mos përfshirjen e punonjësve të administratës në fushatën e zgjedhjeve të 30 qershorit.
Në vendim thuhet se një punonjës i administratës, nuk mund të marrë pjesë në aktivitete politike dhe as të jetë komisioner në zgjedhje.
Kështu, thuhet se punonjësit të administratës shtetërore, gjatë periudhës së procesit zgjedhor, i krijohen kushtet e nevojshme dhe i garantohet moscenimi i të drejtave dhe lirive themelore, kushtetuese, për të shprehur fjalën e lirë dhe për të marrë pjesë në veprimtari politike, brenda kufizimeve dhe ndalimeve, të përcaktuara me dispozita të veçanta të legjislacionit në fuqi, që rregullojnë dhe janë të vlefshme gjatë këtij procesi zgjedhor.
Mes të tjerash, nëpunësit civil, i ndalohet që të bëjë fushatë për një subjekt zgjedhor apo kandidat; të manifestojë me pankarta, parulla apo çdo mjet tjetër të shkruar dhe të ekspozuar publikisht dhe të jetë protagonist në aktivitetet/veprimtaritë politike apo të kandidatëve.
Në vendimin e dytë, me propozim të kryeministrit Rama, qeveria ka miratuar një vendim, i cili parashikon pezullimin e tenderëve për njësitë e qeverisjes vendore.
Përjashtim nga ky pezullim bëjnë tenderët me vlerë të vogël. Ky pezullim është lënë pa afat në vendimin e qeverisë por sipas të gjitha gjasave, ato do të rifillojnë pas zgjedhjeve të 30 qershorit.
Kësisoj, krerët e bashkive nuk do të kenë mundësi që në fushatën për zgjedhjet e 30 qershorit të mund të iniciojnë fillimin e punimeve infrastrukturore etj.
VENDIM
PËR PEZULLIMIN E PËRKOHSHËM TË FILLIMIT TË PROCEDURAVE TË PROKURIMIT NGA NJËSITË E VETËQEVERISJES VENDORE DHE AUTORITETET KONTRAKTORE NË VARËSI TË TYRE, PËR VITIN 2019
Nё mbёshtetje tё nenit 100 tё Kushtetutёs, të neneve 16 e 40, të ligjit nr.9936, datё 26.06.2008, “Pёr menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, tё ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Kёshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Pezullimin e përkohshëm të fillimit të procedurave të prokurimit nga njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe autoritetet kontraktore në varësi të tyre, për vitin 2019.
Përjashtohen nga ky rregull:
– prokurimet me vlerë të vogël;
– procedurat e prokurimit që kanë si objekt produktet ushqimore.
Ngarkohen të gjitha institucionet e vetëqeverisjes vendore, institucionet në varësi të tyre dhe Agjencia e Prokurimit Publik për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
VENDIM
“Task-Forca, në bashkëpunim me titullarët e ministrive dhe grupet e monitorimit, të përmbushë detyrat, si më poshtë vijon:
a) Monitorimin e sjelljes dhe të veprimtarisë së administratës shtetërore, sipas këtij vendimi;
b) Monitorimin e administratës shtetërore në drejtim të përdorimit të autoritetit shtetëror vetëm në përputhje me ligjin duke mos lejuar përdorimin e burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të shtetit gjatë procesit zgjedhor si dhe duke mos lejuar kryerjen e veprimeve dhe/ose dhënien e premtimeve, favoreve apo moscenimin e të drejtave të shtetasve, si mekanizëm për favorizimin apo dhënien e votës një subjekti të caktuar politik apo kandidati;
c) Monitorimin e procesit zgjedhor me qëllim konstatimin dhe raportimin e përdorimit gjatë fushatës dhe procesit zgjedhor të mjeteve financiare nga burime të paligjshme apo të krijuara nga veprimtari të paligjshme;
ç) Monitorimin e procesit zgjedhor, përfshirë ditën e votimit, në funksion të mospërfshirjes në të të zyrtarëve apo personave të tjerë që ndodhen në institucione shtetërore, përfshirë personat e burgosur, dhe marrjen e masave për ndëshkimin e atyre zyrtarëve që veprojnë në kundërshtim me ligjin. Pjesë e kësaj detyre është edhe monitorimi i lëvizjes së nëpunësve të lartë dhe të mesëm shtetërorë në qendër dhe qarqe apo bashki gjatë procesit zgjedhor;
d) Monitorimin e përditësimit dhe ndjekjen e problematikave me listat e zgjedhësve;
dh) Monitorimin e zbatimit të masave për pezullimin e iniciativave për kontrata të përkohshme në nivel qendror e vendor;
e) Monitorimin e përditësimit të akteve të Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil;
ë) Njoftimin apo kryerjen e kallëzimit penal në Prokurorinë e Përgjithshme për raste të marrjes/vënies në dijeni për kryerjen e veprave penale në fushën zgjedhore;
f) Njoftimin e Avokatit të Popullit kur merr apo vihet në dijeni për kryerjen e shkeljeve të të drejtave të njeriut gjatë procesit zgjedhor;
g) Njoftimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kur merr dijeni apo vihet në dijeni për problematika të procesit zgjedhor;
gj)Bashkëpunimin dhe bashkërendimin e punës me Policinë e Shtetit në funksion të marrjes së masave të menjëhershme në përputhje me ligjin kur konstatohen raste të sjelljeve apo veprimtarive të kundërligjshme gjatë procesit zgjedhor;
h) Çdo detyrë tjetër në funksion të monitorimit të zbatimit të këtij vendimi”,- thuhet në vendimin e qeverisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




