Bashkim armiqsh të dikurshëm, rikthim aleatësh të vjetër, apo aleanca të parapritura? Koalicionet që po lindin në përgatitje për zgjedhjet e ardhshme në Kosovë duket të jenë aq të papritura sa edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese se Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti, është zgjedhur në mënyrë jokushtetuese, për shkak të votës së një deputeti që kishte një dënim të formës së prerë për veprën penale.
LEXO EDHE:
Gjykata Kushtetuese rrëzon qeverinë “Hoti”, Kosova në zgjedhje (Vendimi i plotë)
Pa qeveri dhe president. Kosova në udhëkryqin më të madh që nga lufta
Pas vendimit të Kushtetueses, e cila e ka çuar Kosovën sërish drejt zgjedhjeve parlamentare, dilema më e madhe e partive politike mbeten koalicionet partiake, pasi asnjë parti nuk mund ta formojë qeverinë e vetme.
Në zgjedhjet e kaluara, Lëvizjes Vetëvendosje u detyrua të formojë një koalicion qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës, një parti të djathtë, e më pas të bjerë nga drejtimi i vendit në një moment ku retorika e së shkuarës acaroi marrëdhëniet e koalicionit.
Vetëvendosja ka qenë e vetmja që kërkonte me insistim dhe këmbëngulje zgjedhje të parakohshme, por është ende e paqartë se me kë ka menduar Albin Kurti ta ndajë karrigen e pushtetit. Pas “thikës” së ngulur nga LDK-ja kjo mund të jetë zgjidhja më e vështirë e karrierës së tij politike. Për momentin aleatja e tij më e madhe duket të jetë ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, e cila në zgjedhjet e kaluara ishte kundërshtarja më e madhe, duke u bërë gruaja më e votuar në Kosovë.

Pas vendimit të kushtetueses, ka pasur një sërë paqartësish nëse Osmani mund të kandidojë për shkak se është duke ushtruar detyrën e presidentit, por edhe për faktin se është përjashtuar nga LDK-ja dhe nuk ka mundur të krijojë ende partinë e saj, ashtu siç njoftoi disa ditë më parë, pasi zgjedhjet me gjasë janë në fund janari ose fillim shkurti.
I pyetur mbi këtë çështje, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka deklaruar se Osmani nuk është zgjedhur në postin e presidentit, prandaj nuk ka asnjë pengese të kandidojë për deputete, ashtu sic ndodhi në rastin “Jahjaga”.
Në këto kushte, Kurti duket se ka kuptuar se Vjosa mund të jetë aleatja e tij më e çmuar.
Gazeta Blic raporton sot përmes burimeve të saj se ish-kryeministri i ka ofruar Vjosa Osmani, të jetë pjesë e listës zgjedhore në Lëvizjen Vetëvendosje. Sipas gazetës, një opsion i cili po diskutohet mes Osmanit dhe Kurtit, është që ushtruesja e detyrës së presidentit të ketë në listën zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje, 20 vende të lira, në mënyrë që të garojë për deputetë së bashku me 19 anëtarë të listës së saj.
“Gjatë këtyre ditëve pritet të ketë marrëveshje përfundimtare mes Osmanit dhe Kurtit” shkruan sot gazeta.
Edhe publikisht Përparim Kryeziu, zëdhënës i Lëvizjes Vetëvendosje, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, se ky subjekt politik nuk e ka përjashtuar mundësinë e një koalicioni të mundshëm me një subjekt ose iniciativë që mund ta udhëheqë Vjosa Osmani.
Osmani u largua nga partia që udhëhiqet nga Isa Mustafa, pasi kjo e fundit bëri koalicion me AAK-në dhe Nismën Socialdemokrate, pas rrëzimin të Qeverisë Kurti.
Vetëvendosje, përveç Osmanit, duket se po konsideron edhe koalicionet me partitë e tjera. Ish-ministri i Punëve të Jashtme gjatë kohës që qeverisë Kurti, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka thënë sot se nuk e përjashton koalicionin me Partinë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e parakohshme, por nuk e favorizon atë.

“Nëse ne themi se koalicioni me LDK-ja është i pa mendueshëm se na rrëzoi, pikërisht për këtë arsye duhet të favorizojmë PDK për të bërë koalicion në zgjedhjet e reja”, tha ai. “Nuk e favorizojmë dhe nuk e përjashtojmë PDK-në”, shtoi Konjufca
Kjo e fundit, edhe pse pa kryetar partie, pasi Kadri Veseli ndodhet në dhomat e paraburgimit në Hagë, duket se është duke punuar për një koalicion parazgjedhur.
Sekretari i përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka konfirmuar se partia e Fatmir Limajt është në bisedime për bashkim të mundshëm me PDK-në, duke e bërë kështu një faktor të rëndësishëm në zgjedhjet politike.
LDK ndërkohë duket se do të garojë e vetme për shkak të mosmarrëveshjeve me Ramush Haradinaj mbi postin e presidentit.
Ndërkohë që këto bisedime po zhvillohen pas kuintave, i vetmi diskutim që po zhvillohet në publik është për datën e mbajtjes së zgjedhjeve. Osmani është duke mbledhur të gjithë liderët e partive politike për të rënë dakort për mbajtën e tyre brenda afatit të përcaktuar nga Kushtetuesja. Por edhe data e zgjedhjeve duket po aq e paqartë sa koalicionet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





