Vjosa ka dalë nga shtrati duke përmbytur qindra hektarë tokë në zonën e Fierit dhe të Vlorës dhe duke shkaktuar probleme në qarkullim. Situata është kritike në mjaft zona, ndërsa pjesë të aksit të vjetër që lidh Fierin me Vlorën janë plotësisht nën ujë.
Në Vlorë situata është edhe më dramatike. Vjosa ka përmbytur disa shtëpi në fshatin Fitore të njësisë së Novoselës, ndërsa mbi 300 banorë janë izoluar për shkak të dëmtimit të Urës së Mesaplikut.
Prefekti i Vlorës, Flamur Mamaj thotë se situata në Fitore është kritike pasi argjinatura në urën e Mifolit është çarë, duke kërcënuar të tjera banesa nga përmbytjet në orët në vazhdim.
Situatë problematike është paraqitur edhe në Fier ku në disa zona niveli i ujit ka shkuar në 50 cm deri në 1 m. Në Ferras dhe Çerven janë përmbytur serrat dhe fermat duke dëmtuar tokat bujqësore, teksa uji ka hyrë deri në katin e parë të banesave. Në këtë zonë janë evakuuar të paktën 13 familje.
Ndërkohë nënstacioni elektrik i Poçemit është ndalur që në orën 1:30 të natës dhe janë pa energji elektrike rreth 3700 familje. Pa energji janë fshatrat Hekal, Fratar, Selitë, Kutë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



