Sezoni i pushimeve nuk u ndal me ardhjen e sezonit të punës.
Sipas analistëve dhe kompanive të udhëtimit, udhëtarët po udhëtojnë edhe gjatë vjeshtës këtë vit, duke zgjatur muajt e pikut të sezonit të pushimeve përtej fundit të tij tipik.
Disa familje që i shtynë pushimet gjatë pandemisë thonë se tani po shkojnë në udhëtime më të mëdha drejt destinacioneve si Walt Disney World Resort në Florida.
Dëshira për arratisje po nxit rezervimet për fluturime dhe hotele, si dhe mbajtjen e çmimeve më të larta. Më shumë se një e katërta e udhëtarëve amerikanë thanë se prisnin të bënin një udhëtim në tetor dhe nëntor, sipas një sondazhi të shtatorit nga firma kërkimore e tregut Destination Analysts. Dhe për muajin shtator deri në nëntor, shitjet e biletave ajrore nga agjencitë amerikane të udhëtimit janë rritur me 9%.
“Ka ende shumë kërkesa për të udhëtuar, edhe pse ka kaluar sezoni”, thotë Chuck Thackston, drejtor i kompanisë që mbledh të dhëna për turistët, Airlines Reporting Corp.
Turistët në të gjithë botën kanë kursyer para për të bërë një udhëtim të madh, diku ku nuk kanë pasur mundësinë të shkojnë më parë.
Kjo ndodh sepse duan të bëjnë një udhëtim në mot të freskët dhe sepse shpresojnë që të mos ketë shumë turma turistësh, siç ndodh në muajt e verës.
Drejtuesit e linjave ajrore thonë se kërkesa për udhëtime është rritur nga oraret fleksibël dhe hibride të punës, si dhe nga më shumë njerëz që kombinojnë udhëtimet e biznesit me kohën e lire. Shtatori, një muaj zakonisht jashtë pikut të udhëtimit, ishte muaji i tretë më i madh përsa i përket udhëtimeve në Amerikë gjatë gjithë historisë.
Resortet dhe hotelet në Amerikë kanë planifikuar të rrinë hapur dhe për një kohë të pacaktuar për shkak të kërkesës, ndërkohë që vitet e tjera mbylleshin maksimumi deri në mes të tetorit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.