Alexis Tsipras është duke zhvilluar ditën e sotme një nga vizitat më historike të karrierës së tij, duke u bërë kryeministri i parë grek që viziton Maqedoninë e Veriut.
Në një pritje madhështore të organizuar nga qeveria maqedonase, delegacioni i kryesuar nga Tsipras u mirëprit fillimisht nga kryeministri Zoran Zaev në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, për të marrë më pas pjesë në një ceremoni zyrtare në kryeministri.
Pas takimit “tet a tet”, Zaev dhe Tsipras do të mbajnë një konferencë të përbashkët shtypi si dhe një takim ndërqeveritar. Më pas Tsipras do të takohet për të parën herë me kryetarin shqiptar të parlamentit maqedonas, Talat Xhaferi.
Dy vajzat e kryeministrit Zaev ishin të pranishme gjatë ceremonisë dhe realizuan po ashtu disa foto me Tsipras.
Tsipras është shoqëruar në Shkup nga një delegacion i përbërë nga mbi 100 biznesmenë, dhe ka premtuar promovimin e eksporteve greke dhe rritjen e bashkëpunimit ekonomik mes Athinës dhe Shkupit.

Pak orë përpara vizitës në Shkup, Kryeministri grek foli për të ardhmen e marrëdhënieve mes dy vendeve pas Marrëveshjes së Prespës, duke theksuar se kjo vizitë ishte e një rëndësie historike. Ministrat që shoqërojnë kreun grek kanë sinjalizuar se do të nënshkruajnë një sërë marrëveshjesh në fusha të ndryshme.
Tsipras deklaroi se Greqia dhe Maqedonia e Veriut duhet të jenë partnerë dhe aleatë dhe të dërgojnë një mesazh se Athina ka nevojë për një fqinj të qëndrueshëm dhe të sigurt, ndërsa Shkupi ka nevojë për një fqinj të fortë që mbështet perspektivat e tij europiane.
“Marrëveshja i Prespës pati një çmim politik, por unë jam më krenar se kurrë për këtë arritje. Qëllimi i vizitës sime në Shkup është forcimi i marrëdhënieve dypalëshe”, deklaroi kryeministri grek.
Vizita e tij në Shkup është kryefjala e mediave greke dhe maqedonase, edhe pse atmosfera në Athinë nuk duket shumë pozitive.
“100 biznesmenë blejnë Shkupin”, shkruan sot gazeta greke “Etnos” duke e vënë theksin në mënyrë të veçantë tek120 biznesmenët që po shoqërojnë kryeministrin grek, si dhe marrëveshjet që pritet të nënshkruajnë.
Gazeta “Kathimerini” shkruan nga ana tjetër se përveç përfaqësuesve të Dhomës së Tregtisë, Tsipras shoqërohet edhe nga drejtorë të kompanive të mëdha greke .
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



