Ngjarje

Vizita e presidentit turk Erdogan, ‘blindohen’ rrugët nga Tirana në Milot në 17 janar

Disa kufizime dhe bllokime rrugësh në akse nacionale dhe jo vetëm do të bëhen ditën e hënë në 17 janar për shkak të vizitës zyrtare të presidentit turk Recep Tayip Erdogan në Shqipëri. Policia e Shtetit, në njoftimin e saj për shtyp, thotë se bllokimi i rrugëve do të bëhet për nevoja të sigurisë publike.

Konkretisht, për ata qytetarë që udhëtojnë në aksin rrugor Milot-Vorë-Milot dhe në rrugët hyrëse dhe dalëse në këtë aks rrugor, në datën 17.01.2022, nga ora 07:00 e mëngjesit deri në orën 14:00 të po kësaj date, ky aks do të jetë i bllokuar për lëvizjen e kamionëve.

Kufizime do të ketë edhe për kategoritë e tjera të automjeteve rrugore, të cilat duhet të përdorin rrugë dytësore për të qarkulluar në këtë orar.

Gjithashtu do të ndalohet lëvizja e mjeteve në itinerarin mbikalimi i Laçit-Laç, në datën 17.01.2022, nga ora 08:30 deri në orën 12:30.

Si dhe prej orës 08:30 të datës 17.01.2022 deri në orën 10:00 të po kësaj date, do të ketë ndalim qarkullimi për automjetet, në segmentin rrugor Rinas-Vorë-Rinas.

Kufizime të lëvizjes, do të ketë dhe për bizneset që ushtrojnë aktivitetin në aksin rrugor Vorë-Milot-Vorë, si dhe bllokime të lëvizjes së automjeteve në disa segmente rrugore në Tiranë, në orare të ndryshme të datës 17.01.2022.

Policia e Shtetit thekson se ka marrë të gjitha masat për kufizimin e këtyre lëvizjeve dhe kërkon mirëkuptimin dhe ndihmën e përdoruesve të rrugës që gjatë kohës së kufizimit dhe ndalimit të lëvizjes të mos planifikojnë lëvizje në këto akse dhe të zbatojnë me rigorozitet udhëzimet e punonjësve të Policisë së Shtetit që do të jenë të planëzuar në shërbim në këto akse rrugore.

Policia sqaron se qytetarët që duan të udhëtojnë në drejtim të aeroportit të Rinasit me qëllim udhëtimin jashtë shtetit, të marrin masa për të lëvizur para orës së bllokimit të lëvizjes së automjeteve.

Sipas agjendës së vizitës së tij në 17 janar në vendin tonë, presidenti turk Erdoagan, do të mbërrijë orën 09:25 në Rinas, ku do të pritet me ceremoni shtetërore në Aeroportin “Nënë Tereza”. Më pas në orën 10:05, do të niset drejt Laçit, ku do të zhvillojë një vizitë në një familje.

Në orën 10:20 pritet të mbahet ceremonia e dorëzimit të shtëpive të ndërtuara pas tërmetit në Laç, të cilat janë financuar nga qeveria turke.

Gjithashtu, do të mbahet dhe ceremonia e emërtimit të sheshit në Laç me emrin e Presidentit të Republikës së Turqisë. Në orën 13:00, Erdogan do të takohet me kryeministrin Rama.

Në orën 15:00 do të nënshkruhen marrëveshjet e përbashkëta dhe do të mbahet konferenca për shtyp. Në orën 16:00, Erdogan do të inaugurojë Xhaminë e Et’hem Beut. Më pas, në orën 17:00, është parashikuar përshëndetja e Presidentit të Republikës së Turqisë në Kuvendin e Shqipërisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë