Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi,e ka cilësuar një goditje të rëndë për Shqipërinë vendimin e parlamentit holandez për rivendosjen e regjimit të vizave për shqiptarët.
“Debati dhe vendimmarrja e djeshme e parlamentit holandez për t’i propozuar KE kthimin e regjimit të vizave për shtetasit shqiptarë është një goditje e rëndë në rrugëtimin e europian të Shqipërisë dhe për mundësinë e mohimit të një të drejte të fituar me shumë sakrifica 10 vite më parë siç ishte e drejta për lëvizjen e lirë, pa viza drejt Schengen”, u shpreh Kryemadhi.
Sipas saj, parlamenti holandez thotë se arsyeja është kapja e shtetit nga krimi, dështimi i qeverisë drejtuar nga Rama dhe jo djegia e mandateve nga ana e opozitës.
“Nuk janë protestat e opozitës apo djegia e mandateve që e krijojnë këtë problem, po është nga dështimi i qeverisë së Ramës. Ky vendim i parlamentit europian i vë vulën dështimit të qeverisë, si dhe sinjalizon nivelin e ulët të Shqipërisë që të përballojë sfidat e BE. Nuk ka më kohë, nuk na mbetet asgjë tjetër veçse të reagojmë”, tha ndër të tjera Kryemadhi.
Ndërkohë, ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji në një deklaratë për mediat u shpreh se lidhja e qeverisë me krimin e ka futur vendin në një rrugë të pashpresë. Sipas Salianjit, kryeministri Edi Rama është i rrethuar dhe për fat të keq gjithçka që ka deklaruar Partia Demokratike po faktohet nga strukturat më të specializuara dhe nga institucionet më prestigjioze ndërkombëtare.

“Shqipëria është shndërruar në një vend tranziti në rritje për kokainën dhe heroinën, që komandohet gjerësisht nga elementë të krimit të organizuar, evidentohet ndërtimi i laboratorëve të përpunimit të kokainës dhe heroinës në Shqipëri thuhej në Raportin e DASH”, theksoi ai.
Salianji pohoi se pikërisht për këtë arsye, rritjen e krimit shqiptar, Parlamenti holandez i propozoi qeverisë së saj që të kthejë vizat.
“Parlamenti holandez votoi për kthimin e vizave për shqiptarët. Për shkak të bashkëpunimit të Ramës me krimin Shqipëria ka gjashtë vite që nuk po bën hapa para, por vetëm pas”, deklaroi Salianji.
Gjithashtu ish-deputeti theksoi se për shkak të bashkëpunimit mes krimit dhe qeverisë, në vendin tonë gëlojnë sheshit vrasjet, grabitjet, dhuna dhe gjithçka tjetër.
“Vendi gëlon nga vrasjet, rrëmbimet, grabitjet, por Rama bën gangsterin me të pamundurit dhe flak në rrugë qytetarët”, shtoi ai.
Ish-deputeti u zotua se Partia Demokratike do të çmontojë grupet kriminale dhe do ta kthejë Shqipërinë në një shtet ligjor.
“Ne do t’i japim fund shtetit personal të Ramës dhe bandave të tij, ne do të çmontojmë grupet kriminale dhe do ta bëjmë Shqipërinë vendin e sundimit të ligjit, vend ku mbizotëron shteti ligjor, ku dënohen banditët e kriminelët dhe garantohen qytetarët, ne do ta rikthejmë në detyre policinë e marrë peng nga Rama dhe ushtarët e tij”, përfundoi Salianji.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



