Nga Gazeta ‘SI’ – Vjeshtën e ardhshme, INSTAT do të nisë regjistrimin e Censit të bujqësisë, të parashikuar në në 2022-shin.
Drejtoresha Elsa Dhuli tha në komisionin e Ekonomisë, se për të numëruar sipërfaqen e tokës që mbillet dhe me çfarë, si dhe për të regjistruar numrin e bagëtive, do të duhen 9.2 milionë euro, që janë kërkuar si financim nga buxheti i shtetit.
“Sa i takon Censit të bujqësisë, aktualisht strategjia e tij është në proces miratimi zyrtar. Varet nga miratimi i projektligjit, që është konsultuar. Aktualisht po bëhen reflektime për këtë cens. Parashikohet kosto 9.2 milionë euro, që janë kërkuar nga buxheti i shteti. INSTAT po bashkëpunon me MBZHR për të realizuar këtë proces”, tha drejtuesja e INSTAT Dhuli.
Ky Cens do të bëhet, 14 vjet pasi është bërë fotografimi i fundit i këtij sektori në Shqipëri. Numërimi pritet të zgjasë 4 javë, dhe ata që refuzojnë të japin informacion për punonjësit e INSTAT që do të angazhohen në këtë proces, do të ketë gjoba nga 30 mijë lekë deri në 100 mijë lekë.
Dhuli tregoi se Censi i ardhshëm i popullsisë do të bëhet në vitin 2031 dhe se numërimi i popullsisë nuk do të bëhet me numërues derë më derë, por do të bazohet mbi regjistra administrativ, të dhëna nga gjendja civile etj.
“Shpreh nevojën për shtesë stafi por edhe për infrastrukturë teknologjike, në kushtet kur kërkohet që me synimin që censi i 2031 të bazohet në burime administrative, që kërkon staf shtesë dhe infrastrukturë solide, për të garantuar mbrojtjen e të dhënave që do të mblidhen”, u tha Elsa Dhuli.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



