Teatri Kombëtar edhe këtë vit të ri e ka nisur me anulimin e shfaqjeve për arsye shëndetësore të aktorëve.
Pas disa shfaqjeve të anuluara gjatë vitit 2021, një tjetër shfaqje u anulua të martën për arsye se një nga aktorët e produksionit nuk mund të performojë, dhe si rrjedhojë shfaqjet janë shtyrë, ndërkohë që janë shitur biletat.
Shfaqja “Coriolanus”, një kryevepër e Shekspirit që erdhi nën regjinë e Altin Bashës, ishte planifikuar të rikthehej më 7, 8 dhe 9 janar, por të martën Teatri Kombëtar bëri me dije se për arsye shëndetësore të një prej aktorëve shfaqjet janë shtyrë.
“Duke ju kërkuar ndjesë dhe falënderuar për mirëkuptimin, ju bëjmë me dije se ju mund të rimbursoni biletën tuaj ose mund ta përdorni atë në shfaqjet e datave 13, 14, 15, dhe 16 janar 2022”, thuhet në njoftimin e Teatrit Kombëtar.
Sipas institucionit teatror, kjo është vepra e atij, që është quajtur dhe dramaturgu më i madh i të gjitha kohërave.
“Hero i Romës apo armik i saj? Vepra më politike e atij që mund të quhet dramaturgu më i madh i të gjitha kohërave, William Shakespeare vjen sërish në “ArTurbina””, shkruan Teatri Kombëtar.
Në rolet e veprës janë Gazmend Gjoka, Helidon Fino, Luiza Xhuvani, Viktor Zhusti, Elia Zaharia, Genci Fuga, Hervin Çuli, Dritan Boriçi, Florian Agalliu, Arben Derhemi, Besmir Bitraku, Myzafer Zilfa, Genti Deçka, Erjona Kakeli, Xhuliano Brisku, Donald Shehu, Doriana Çaushi, Gjergj Mena, Urim Aliaj, Ermir Hoxhaj, Griseld Kapllanaj, Juxhin Plovishti, Bujar Hoxhaj, etj.
Ndërsa Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” nis sezonin në janar me shfaqjen “Unë, Mephisto” me regjinë e Dino Mustafic. Kjo shfaqje u dha premierë në dhjetorin që lamë pas dhe do të vijë sërish për publikun në datat 7, 8, dhe 9 janar.
Shfaqja vjen si bashkëpunim i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” dhe M. A Multidiciplinary Arts me regjinë e të mirënjohurit Dino Mustafic.
Për herë të parë në Shqipëri flitet përmes artit për fenomenin “Mephisto” në skenën e teatrit.
Shfaqja vjen si bashkëpunim i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” dhe me disa vende nga Ballkani, me artistë nga Shqipëria, Kosova, Bosnja, Serbia në drejtimin e Dino Mustafic, drejtor i Teatrit Kombëtar të Sarajevës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



