Arsim

Viti akademik nis më 2 tetor, Kushi: Maturantët s’do kenë më 3 raunde regjistrimi, por 2

Nga Gazeta Si – Ministria e Arsimit ka miratuar sot procedurat e aplikimit dhe regjistrimit në institucionet e arsimit të lartë, në të cilat janë parashikuar disa risi për vitin e ardhshëm akademik 2023-2024.

Sipas udhëzimit të publikuar sot, maturantët nuk do kenë më 3 raunde regjistrimi por vetëm 2.

“Ulja e numrit të raundeve të regjistrimit nga 3 në 2 shkurton kohëzgjatjen e procedurave për aplikim dhe regjistrim në universitete. Viti i ardhshëm akademik do të fillojë më 2 tetor 2023 dhe shkurtimi i një raundi është në funksion të fillimit të procesit të mësimdhënies”, ka thënë Kushi.

Pas raundit të dytë, në programet e studimit ku kanë mbetur kuota të lira pranimi, kandidatët që kanë aplikuar në U-Albania mund të vijojnë të regjistrohen drejtpërdrejtë në IAL deri në plotësimin e gjitha kuotave.

Gjithashtu do të ketë procedura të barabarta aplikimi dhe regjistrimi për të gjithë kandidatët me diplomë të shkollës së mesme, pavarësisht nëse janë shqiptarë apo të huaj.

Ndërkohë, maturantët këtë vit do të dorëzojnë më pak dokumente të nevojshme për procedurat për regjistrimin në IAL.

Dokumentet që do të dorëzojnë maturantët janë:

-Kopje e dokumentit të identifikimit

-Kopje e njehsuar me origjinalin të diplomës së maturës shtetërore së bashku me certifikatën përkatëse të notave.

-Deklarata e regjistrimit të maturantit që plotësohet nga kandidati në prani të punonjësit në sekretarinë mësimore të IAL-së.

-Formulari i aplikimit i firmosur nga maturanti dhe punonjësi në sekretarinë mësimore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë