Arsim

Viti akademik 2023 / Më shumë kuota dhe programe por më pak studentë

Nga Gazeta Si- Për të aplikuar në procesin e maturës shtetërore në mënyrë që të finalizojnë ciklin e shkollës së mesme, maturantët plotësojnë paraprakisht formularin A1. Ky formular është detyrim edhe për aplikimin universitar, pasi pa të maturantët nuk mund të vijojnë me këto procese. Gjatë këtij viti, formulari A1 është plotësuar nga rreth 27 260 maturantë.

Ndërkohë, në Shqipëri, ka 13 institucione të arsimit të lartë (IAL) publike dhe 26 IAL private. Këto institucione ofrojnë një total prej rreth 32,700 vendesh studimi në 653 programe të ndryshme. Për krahasim, numri i aplikantëve për vitin akademik 2023 ka shënuar një ulje prej 6.6% në krahasim me vitin e kaluar. Konkretisht, kemi pasur 19 612 aplikantë në vitin 2023, ndërsa rreth 21 000 aplikantë në vitin 2022.

Në një raport monitorimi, Qëndresa Qytetare thotë se, megjithatë, IAL-të kanë shënuar një rritje në disponibilitet. Numri i programeve të studimit është rritur me 15.1% krahasuar me vitin 2022, duke shkuar nga 555 programe studimi në 2022 në 653 për vitin akademik 2023. Po ashtu, numri i vendeve të studimit është shtuar me 2.2%, duke arritur në 32 700 kuota për vitin 2023, në krahasim me 30 007 kuota të ofruara në vitin 2022.

30.5% e programeve të studimit në nëntë universitetet kryesore të vendit rrezikojnë të mbyllen

Universiteti i Elbasanit mban vendin e parë me 46.6% të programeve të cilat kanë më pak se 10 studentë të regjistruar. Ky universitet ka gjithashtu një numër prej 11 programesh studimi të cilat kanë 0 regjistrime, pra mund të konsiderohen programe studimi të mbyllura. Paçka se studentëve të regjistruar në programet e studimit që konsiderohen prioritet kombëtar u është ofruar një bursë e barasvlefshme me pagën minimale, ata përsëri nuk i preferojnë këto programe pasi më shumë se 41.2% e tyre rrezikojnë të mbyllen.

Megjithatë, regjistrimet në programet e studimit prioritare kanë një përmirësim të ndjeshëm në krahasim me vitin 2022, ku rreth 71.6% e këtyre programeve rrezikonin të mbylleshin. “Studentët nuk i preferojnë programet prioritare të studimit sepse në shumicën e tyre tregu i punës nuk ofron siguri”, shkruhet në monitorimin e Qëndresës Qytetare.

Numri i regjistrimeve në programet e studimit 2-vjeçare me karakter profesional, si edhe në programet e studimit Infermieri e përgjithshme dhe Mami në disa raste përbëjnë numrin më të lartë të të regjistruarve në këto universitete, të cilat gjenden në Durrës, Shkodër, Elbasan, Vlorë, Korçë dhe Gjirokastër.

“Ky trend sjell disa shqetësime për sistemin e arsimit të lartë në Shqipëri. Së pari, ai tregon një dëshirë të qartë të studentëve për të ndjekur programe profesionale, të cilat nuk janë të njohura gjerësisht në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar dhe nuk janë të barabarta me një shkollim universitar të nivelit bachelor. Kjo mund të ndikojë në cilësinë e shkollimit dhe aftësitë e studentëve për t'u përshtatur në tregun e punës si brenda dhe jashtë vendit”, shkruan Qëndresa Qytetare, duke përmendur se fenomeni i regjistrimeve të larta në programet Infermieri e përgjithshme dhe mami sjell një sfidë të madhe për Shqipërinë: Fenomenin “brain drain” (Ikja e trurit).

Kreu i shoqatës së infermierëve, Elson Jaçaj, shprehet se gjatë periudhës 2020-2023 nga vendi janë larguar rreth 16 mijë infermierë.

Sipas analizës së Qëndresës Qytetare, në përfundim të raundit të dytë të regjistrimeve janë ezauruar 99.1% e kuotave të lira në programin e studimit “Infermieri e Përgjithshme” në gjithë universitetet publike të vendit.

Pas diplomimit në këto programe, studentët janë të gatshëm të largohen nga vendi për të punuar në vendet tjera, duke krijuar një vakum për shërbimet shëndetësore në vend.

Numri i aplikantëve për mjekësi të përgjithshme ra në vitin 2023

Në krahasim me vitin 2022, numri i aplikantëve për programin e studimit “Mjekësi e përgjithshme” ra me gati 43% (3183 aplikantë në 2022, në rreth 1800 në 2023).

Pas kryerjes së provimit të informatizuar dhe publikimit të renditjes së fituesve të raundit të parë të aplikimeve universitare së bashku me pikët e tyre, numri total i aplikantëve zbriti në 1021, pasi rreth 800 prej tyre nuk kishin marrë pjesë në provimin e informatizuar.

Arsyeja kryesore që solli në rënien e aplikantëve në masën 67.9% në krahasim me një vit më parë është vendosja e ligjit nr. 60, 2023, "Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë 'Mjekësi e përgjithshme' në institucionet publike të arsimit të lartë", i cili detyron mjekët e rinj të punojnë në Shqipëri për së paku 5 vite pas diplomimit të tyre, si edhe vendosja e provimit të informatizuar.

“Rënia drastike e numrit të aplikantëve ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e mjekëve të ardhshëm pasi ¼ e aplikantëve e fitojnë automatikisht të drejtën e studimit duke qenë se kuotat e vlefshme të programit të studimit “Mjekësi e përgjithshme” ishin 400 për vitin akademik 2023-2024 dhe referuar deklaratave të ish-Ministres së Shëndetësisë, znj. Ogerta Manastirliu pritet të shkojnë në 500 gjatë vitit akademik 2024-2025”, shkruhet në raportin e Qëndresës Qytetare.

Efektet që solli vendosja e provimit të informatizuar

Programi i studimit "Mjekësi e Përgjithshme" është programi që ndër vite ka pasur konkurrencën më të madhe për të fituar të drejtën e studimit. Në vitin 2022, programi “Mjekësi e përgjithshme” ofronte 360 kuota të disponueshme për aplikantët shqiptarë, dhe aplikanti i fundit i pranuar u rendit në pozicionin 486. Edhe pse 126 aplikantë nuk u regjistruan, duke i lënë vendin aplikantit të radhës në listë, mesatarja e kombinuar e nevojshme për të fituar ishte 9.78. Kjo mesatare përfshinte një mesatare prej 10.00 gjatë viteve të shkollës së mesme dhe 9.55 në provimet e maturës shtetërore.

Pas vendosjes së provimit të informatizuar, mesatarja e kombinuar e nevojshme për të fituar u ul në 9,43 si pasojë e peshës prej 30% që kanë pikët e provimit. Vendosja e provimit uli ndjeshëm edhe numrin e aplikantëve që fitonin të drejtën e studimit por nuk regjistroheshin, duke ia lënë vendin aplikantit të ardhshëm në listë. Ky numër ndryshoi nga 126 aplikantë në vitin 2022, në vetëm 35 aplikantë në vitin 2023.

Referuar grafikut, pikët mesatare të marra nga 400 aplikantët e parë (fituesit) janë 60,7/100 pikë. Mesatarja e tyre e shkollës së mesme varion nga nota 9,6- 9,85 te disa aplikantë, në 9,9-10,00 në shumicën prej tyre. Këto rezultate faktojnë fiktivitetin e notave, të paktën në sistemin arsimor parauniversitar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë